Nga Vladimir Myrtezai

Sa herë zbres për në jug, tej qytetit të Tepelenës, në afri honesh e relievesh të lartë malorë, kaplohem nga një ndjesi si përjashtuese e me doza të nënpleksura e në një gjendje mospërputhëse me veten në një hulli provokimi. Një ndjesi që rrjedh nga   shumë shkaqe dhe faktorë që e bëjnë praninë time në një status të distancuar e mopranues, në një refuzim shtytës e frenues. Është një lloj ndjesie mes keqardhjes dhe kreshpërimit, si gjithë prani krejt e humbur e nostalgjisë, sepse më duket sikur do më pyesin: po ti, ç’ne nga këto anë?

Është ndjesia e tradhtarit në një format përkundër, që nuk ka tradhtuar kurrë një dashuri të projektuar si të paudhëtueshme, të kryer, si një përjetim i marrë me mend që i duket se po e lexojnë në ballë për këtë ndjesi të pashkak, të pezullt; një lloj mbetjeje në ndërgjegje, e papërftueshme, që herë-herë bëhet një kontradiktë e vetë prodhuar në një trup që kërkon një distancim përkundër. E gjitha çlirohej nga fakti ngërç që shkoja si i huaj mbi atë reliev mistik.

Është si një gjë që do ta duash, por nuk të lejon. Ndaj, për këtë arsye, nuk se ke një objekt në kontradiktë, por një gjendje që peshon si vetëpërjashtim, e dalë nga kushedi se ku, thellë, në rrënjë të padukshme, që shpesh nuk jemi në gjendje t’i njohim.

Mbasi më kalon kjo ndjesi, si një krye ritual për të pastruar veten, mundohem të futem duke u lëshuar drejt njërit prej qyteteve më unikë që kam njohur. Është një kuriozitet i zgjatur nga ku shkaklisem të kërkoj një arsye se pse më ndodh kështu sa herë afrohem për në Gjirokastër. Ndoshta ngase në përfytyrimin e një njeriu si unë ky vend është i rrallë dhe imponues, qoftë për shkaqe natyrale, qoftë për shkaqe të një etnokulture të parzmuar tashmë nga emra me ndikim, shto këtu edhe një lloj ksehajse udhëtimesh metafizike që lidhen me këtë qytet. Një mur emrash që më ndikonin tingullt pëertej veshjes së tyre si dekor i skalitur në memorie me emra e mbiemra allasoj po të vegjetuar në ndërgjegjen time si nyje bashkëlidhjesh dhe ndarjesh konotative. Hankonatët, Karagjozi, Hoxhatë, Kokobobo, Çuçi, Çabejtë, Kokalarët, Ficot, Topullarët, Babametajt, Baboçi, Kashau, Kadaretë, Makritë, Kopeci ,Bejajt, Bimi, Baxhellajt e deri te Avdallët e Binajt.

 

Bile ca si më shumë, kjo ndërtimtari e artikuluar së brendshmi, me deviacione e paragjykime shpirtërore, e bën më të sofistikuar gjithë këtë shtyrje, për të mos qenë i pranuar lehtë në një qytet prijësish të letrave  e personalitetesh por dhe njerëzi e thjeshtë, pasi ndjehet si një vargmal i thyer, grotesk, dalë nga fortesa konservatore në qarqe të mbyllura e të personalizuar stilimesh në soj.

Pikërisht kjo mbulesë e koracuar nga një shumë historish dhe ravgimesh e bëjnë edhe më të mjegullt e të paqëndrueshme këtë përmbledhje botëkuptimore të një sëre që mbijetuan si një afri e kontradiktuar, ngritur tashmë si mur i lartë mbrojtës.

Por, mbasi e ke kaptuar këtë përshtypje në një formë të avashtë afrimi, ndien ngrohtësinë e një qyteti plot me rrëfenja. Një shfaqje me kast për një njeri që ndërsyn nga jashtë, si në një përrallë në eko të lartë të përfytyrimit mbi njeriun, i ndërlikuar dhe i lidhur ngushtë me atë qytet të gurtë.

Por, si çdo qytet, edhe ky vend çudi ka lëkurën e tij, shijen të çmendurit dhe cakun karakterial. Jo vetëm atë formal, që zbulohet menjëherë, por sidomos atë përmbajtësor, që vjen më shumë si një shkarkesë me shumë zëra, si në një baladë tingush primarë, ku ndjehet vetmia dhe përmbushja. Një lëkurë e pangjashme në shkëlqim e aromë.

Po flasim për hartën e një qyteti ku sundonin porta e emra familjesh në zë, të cilat përbënin konstruktin e brendshëm të kujtesës së kësaj zone, sublimuar në rrëfenja, bëma e zhurmë.

Për një shtegtar kurioz do të ishte vendi më përrallë për t’u shkëputur nga bota e standardizuar e qytetit, për të takuar kështu një plastikë humane, ku mund të marrësh me vete përfytyrimin e të fluturosh në mënyrën më të pabesueshme.

Edhe bisedat me të njohur dhe miq të çdo niveli seç kanë në strukturë një shtrirje të rrëfenjës që të bën zap e për vete në miqësitë udhëheqëse të tyre. Një lëndë në sua njerëzish që sikur të nënshtron me një akt të butë e përfshirës, në një hall të padukshëm, që e sugjeron vetë në rrënjë rrëfimi.

Arratitë e mia në këtë qytet ishin për shumë arsye, por në thelb ishte dëshira e madhe për të jetuar aty në një gjendje arratie nga një botë e mbingarkuar. Një lloj ëndrre në sirtar që sajojnë njerëzit që i shmangen klimës mbytëse e të përsëritur, por edhe një lloj vet izolimi brenda një arkitekture të dhuruar, endur në fantazi të lirë. Mund të them edhe një trill i imi për t’u shkaktuar e marrë malet në një arrati, më shumë nga vetvetja sesa nga të gjitha arsyet e ngritura në justifikime.

Shkak përherë shtytës ishte gjithnjë bujaria e një mikeshës time që kish blerë një shtëpi modeste në Gjirokastër, pikërisht në zonën e mbrojtur e të vjetër të qytetit. Një përrallë e zgjedhur për qejf të shpirtit tënd. Kështu që, zbarkoj shpesh në këtë qytet, si një shëtitës i heshtur e gjithnjë në një pavarësi të plotë organizimi, ku çdo gjë e udhëheq rastësia e spontaniteti. Zhvendosu pa arsye dhe udhëto veten në një oksigjenim të ri.

Stina më e preferuar për mua është dimri: mjegull dhe shi, është një magji e zgjedhjes për një njeri që ka lidhje me të shkruarit apo me format e tjera krijuese. Qyteti jepet si me kast, duke u zhveshur nga mundësia e natyralizuar tashmë e shumimit në njerëz, si turistët, ku ke fatin ta shijosh në lëkurën e tij të vërtetë, në atë të zgjatimit në kohë. Kjo edhe për shkak të një lloj gjendjeje njësimi të shumëformëshit të gurtë, kësaj ngrehine kështjellë, që sikur tonohet në një lodërnajë refleksesh gri e në puhiza të pazakonta. Por, edhe për shkakun e një përqëndrimi më dramatik të këtij shumëformëshi ndër qendra të vogla e intime, me shkëmbime e gjallime lloj-lloj.

Fazat më tërheqëse ishin në buzëmbrëmje, pasi muzgu i butë dhe unifikimi i një lloj drite e shtonte edhe më kompaktësinë e materialit të gurtë, ashtu i shumë vendosur dhe herazi si i dalë nga një përrallë e harruar nga brezi i tanishëm. Format induktive trupore ktheheshin në silueta të një prerjeje që do të ishte e pakrahasueshme me çdo vizatim.

Gjithsesi, të jetoje në këtë qytet ishte një aventurë e zhvendosur për njerëz në soj, ku përkrah mundësive të pakta si territor urban të krijonte përshtypjen se mund të mbijetoje e t’i përshtateshe një ritmi kursimtar të mirënjohur. Vendosja e qytetit nën harqet hundore të shpatit malor i jepte një ndarje të veçantë këtij relievi të mbushur me të papritura e me peshë jete, si një tjetër përpjekje për të riatdhesuar periferinë.

Pjesa e poshtme, e ashtuquajtur moderne, ishte një hibridizim i keq i përshtatjes, një keqkuptim mjedisor për shkak të ndërprerjes së menjëhershme të një relievi malor.

Por, arratitë mbeteshin lart, në kufij më të thellë e më të natyralizuar. Unë jetoja si mysafir sezonal diku pranë qafës së pazarit, në një nyjë lidhëse në gjithë atë gjarpërim të gurtë, ku ndihesh si një vëzhgues i patrazuar.

Binte një shi i imët. Më dukej më shumë për oksigjenim dhe lëvizje të ajrit, që të linte përshtypjen se po udhëtoje e shkelje në një tablo që po merrte një shkëlqim të purpurt. Kisha dalë pa çadër, ashtu lirshëm, për ta ri shkelur këtë qytet si herën e parë, me etje e ngulm. E gjitha më dukej si një dekor i ujshëm me disa njolla arketipore që shfaqeshin aty-këtu, si për t’i dhënë kuptim gjithë atij masivi të përhimtë; se aty plekseshin fate e jetë. Të gjitha këto forma, edhe ato njerëzoret, ndieheshin të prame, në një lëvizje të ngadalësuar për shkak të relievit dhe në një ksehasje nga ato ku nuk do të doje të ndërhynte gjësend. Tek-tuk në kthinat e befasishme ndieja se kishte një trokëllimë kali apo mushke. Goditjet e patkonjve shkundës ishin si një intonacion ndarës në frymëmarrjen e sheshtë e të ulët të njerëzve. Pastaj përshëndetje rutinë dhe portrete që rrinin si të hequr në pragjet e gurtë, me një kuriozitet të pashquar e në një dekor sysh gri në të kaltër, si e vetmja shpresë për të kuptuar reflekset dhe thellësinë e një qenieje. Nën hirin e vetmisë merrnin edhe rolin e kamerave mbikëqyrëse.

Këtyre shikimeve u shtoheshin edhe picërrimet e syve të mekur të ndoca femrave të rralla në qytet; si një ngasje e helthët, gati në pezmatim; një lloj pellgimi i plugtë, si në një tokë të thatë për motive të një jete të ripërsëritur ndër jehona e zëra të nëndheshëm. Në fakt, nën lëkurë u fshihej një lloj erosi, që nga dialekti dhe ritmi i të folurës merrte një nuancë sensuale, si një ushqim i rrallë që të afronte natyra e egër.

Në këtë qytet mund ta gërmosh kohën si përjashtë, në një zgjedhje të tërhequr e në histori të thelluara plot humus.

Gjëja që dukej më së keqi në një qytet të veçantë ishte moderniteti, ose elementet e rinj që vinin nga shkaqe krejt të huaja për një qytet në lloj si Gjirokastra. Kështu që, sa e sa herë e mendoja në një ndërlidhje të shpeshtë, se si mund të ndehej organikisht e mirë shprehur një ndërhyrje arti mbi atë reliev. Më vinin në radhë shumë artistë të dalë nga kjo trevë, bashkë me mendimin se cili syresh mund të ishte ai tipiku. Ndër të vetmit që më rrinte afër këtij përfytyrimi më vjen në oreks Ben Bajo, një lëkurë artisti që dilte si nga vetë tekstura e këtij realiteti, në një tejkalim të dukshëm inteligjence dhe qëndrimesh në eko të lartë me lëndën  e shenjave skulpturore. Më erdhi pikërisht ai ndërmend, ngase e gjithë krijimtaria e tij është e peshuar mbi poetikën dhe shenjën karakteriale, por edhe me një lloj psikologjie që ka të bëjë me mitin e bukurisë, apo me mite të tjera bazikë. Një vrojtues i hollë dhe përkthyes i mirë i materies humane. Skulptura si esencë e shenjës në volum mund t’i jepte një tjetër shtytje një qyteti që vuante nga lavditë, nga zotnillëku dhe të ndërtuarit me pak në një harmonizim të shkëputur në kohë.

Ben Bajo është një personazh i përfshirë në hijen e qytetit, që si për çudi, edhe pse ka emigruar, nuk ruante në lëkurë të njëjtën shenjë ndryshimi që ndodh te të gjithë ata që kanë kaluar atë kalvar, njëfarë sindrome që ka të bëjë me klithjen natyrale në një vend të tillë. Ndaj dhe e gjithë vepra e tij vjen si rezultat i erërave kulturore që bashkëndau në laboratorin e artistit, si një i mbijetuar në një lëkurë konservatore e të shumëlidhur me atë se çfarë ishte dhe çfarë reflekton statura e tij, jo vetëm si skulptor, por edhe si një ndër ata që ruajnë disa ekuilibra natyrorë, ku nuk ndiehen as të cytur e as në avangardë, por afrohen shtruar në një patinë disi “povera” në dukje, por me cilësinë e njerëzve me një zgjuarsi natyrale, të qetë.

Bajo më është dukur sikur intonohet në lëkurën e qytetit të tij, si një i mbijetuar për nga cilësitë që konservon, por edhe duke marrë mbi kurriz romuzet pikante të vendlindjes në një hap pozitiv e në një humor me sqimë.

Në fakt, si formim artistik doli nga shkolla në një moment shumë të trazuar e të palexueshëm, ku për shkak të anarkisë e andrallave historike iu desh t’i hynte aventurës së emigrantit, si shumë artistë të tjerë që e shfrytëzuan atë moment. Natyrisht që fryma e vendit ku ai emigroi la shenjën e vet. Shpesh e kam menduar si të pandryshueshëm nga arti i madh, sepse përmes damarëve natyralë dhe të vendit ku kish lindur po kridhej në kërkime të zgjatura për artin e figurës, paçka se e gjithë skena e artit bashkëkohor kishte shkuar shumë larg. Por, me sa duket instinkti apo format identitare të tij pëlqyen të pushojnë te muzat e heshtura, stampuar brenda nga qyteti tij i lindjes dhe nga një atmosferë që për disa qe mbyllëse dhe sunduese, ndërsa për ndonjë si Bajo tingëlloi si favor.

Ka një dialog ndërveprues në plastikë që të lë pikërisht këtë ndërvarje të veçantë. Nganjëherë më duket se kjo formë e konservuar dhe e përpunuar në kohë ndjell një lloj melankolie që vjen nga uturimat e një humusi njerëzor, thekur nga një dorë lirike, si një fjalë e shkruar në impas apo në një tingull të pakryer. Ndoshta për ketë arsye volumet e tij skulptorikë përafrojnë gjendje mes intimes dhe arketipit, dhe ndihen si zëra të hirtë që mund t’i rrinin për bukuri një qyteti hundor e në shpat mali, me atë lloj kubëzimi të gurtë, ku mund të ndërtohet frymorja si një dialog i hapur artefaktesh në lloj.

Skulptorët me një lloj prerjeje klasike janë personazhe allasoj, shumë të ngjashëm e të harruar në dalldi, nganjëherë si poetë të çartur. Për natyrën e tyre dhe për një lloj ngulitjeje të pakthimtë ndaj një objekti që ata e zgjedhin si tokën e tyre djerr. Për këtë arsye ata janë të lakmueshëm për t’u shkruar e marrë në analizë, për një lloj vetmimi a shkretie që i rrethon në monologët e tyre të zgjatur në përfolje me formën dhe arritjen e kullueshmërisë së saj. Kjo u jep një lëkundje deri në psikën dhe gjuhën trupore të tyre, ku shpesh bëhen të ngjashëm me skulpturat dhe format që mbjellin. Po të shkosh në studion e Bajos ndien sikur shëtit nëpër zota e hyjni, ose ndër mite e figura në trans, një ndjesi e udhëtimit të tyre imagjinar derisa marrin një lloj statusi përballë teje.

Bota do të ishte vërtet e mangët pa këtë lloj pluhuri që nxjerr njerëz të tillë, të vetëmjaftueshëm brenda ëndrrës së tyre, të pazhveshur nga lëkura e tyre shëtitëse, e butë dhe vrojtuese.

Ai endet mes liberalit dhe konservatorit, duke e ngarkuar barrën e vet mbi një biçikletë të ngjashme me hire të vjetruara. Ai pedalon hajthëm nëpër një botë të mbushur me sendurina demode e butafori egosh. Por, ai nuk e prish terezinë – vazhdon të lundrojë ndërmjet ideve dhe dashurive të vjetra e të reja.

I mbijetuar nga një aradhe e stuhishme ndryshimesh të dhunshme që koha i imponoi, ai ia doli të mos infektohej nga komercialja. Ben Bajo hyn në zgjedhjet e tij të kontrolluara (por emocionale) duke falur terren e duke bërë të heshturin e paepur të këtij ushtrimi të detyruar kohor.

Një skulptor i interierit në një rezonancë ndikimi në zonat intime të disa formave që komunikojë thellësinë e tij të bashkëshkelur me udhëtimet kulturore: gjurmë, ndonjë qytet mistik a mitik, legjenda, emra të lakmueshëm e sfidues, aksesorë të kohës mbi të cilët na imponon një tjetër vështrim e shumë territore të brishtë.

Ai vjen në një qasje të thjeshtuar, si një akt dashurie me plastikën/formën, me një theks të dallueshëm qytetas e  krahinor, që sikur ia përskuq edhe më shumë patinën dhe mistikën e botës që shpërfaq.

Një episod i paharrueshëm në qytetin e gurtë, diku rreth vitit 1989:

Pata një pauzë pushimi gjatë një udhëtimi për Athinë dhe vendosa t’u bëja një vizitë prindërve të një miku tim aktor. Kam takuar në atë vizitë varfërinë e menduar të jetës sime. Ata më afruan një kafe, dhe për herë të pashë një xhezve bakri, shumë të konsumuar, si dhe një filxhan kafeje që nuk do ta harroj gjithë jetën. Qe një mbresë që sot më asociohet me dekompozimin formal në materie të skulpturave të Bajos; një prekje në skaj, ku mbisundonte veçse një pastërti farmaceutike që përfaqësohej nga e bardha gëlqeres, gjë që nuk më shqitet nga trupi si ndjesi e cak; se si përthaheshin në një gjendje kaq racionale e të tretur gjëra aq thelbësore të qenies humane përfshirë dhe mikpritjen.

Ndoshta ky shkrim i ndërmjetëm është dhe një homazh për atë çast prekës, ku njerëzit m’u dukën si të pakallur, apo si personazhe të një tregimi misterioz, herë me dritë e herë si në një burg të madh të shpikur nga vetë ata si një veshje e pandryshuar e një qyteti egzogik e të mënjanuar në të rrallë. Në zhguallin e një emërtese që jeton përmes ekos dhe lavdisë së zërave nguruar në mure e kalldrëm. Gjirokastra një mister i pafund.

Jam i bindur se gjërat nuk ndodhin rastësisht as emrat e mëdhenj ata kanë një shkak të padukshëm që endet në të përditshmen tonë si jehonë e përpunuar nga fama e përfolja e tyre. Por edhe nga këndi specifik apo materia bazë ku marrin shenja dhe jetë si qyteti me fat i tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu