Vijojnë operacionet për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt fitimit.

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “ROAD GUARD 19”.

Operacioni, nga DVKM Gjirokastër dhe FRONTEX, në bashkëpunim me DVP Gjirokastër.

Vihet në pranga 27-vjeçari pakistanez që ndihmoi 6 emigrantë të paligjshëm që të hynin në Shqipëri.

Sekuestrohet 1 aparat celular.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e DVKM Gjirokastër dhe shërbimet e FRONTEX, në bashkëpunim specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “ROAD GUARD 19”.

Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi M. W., 27 vjeç, banues në Pakistan.

Gjatë operacionit, shërbimet e DVKM Gjirokastër dhe shërbimet e FRONTEX, në afërsi të fshatit Glinë, kapën në flagrancë 6 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA.

Pas një pune intensive hetimore të kryer nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, rezultoi se shtetasi M. W. i ka ndihmuar këta emigrantë që të kalojnë kufirin nga Greqia për në Shqipëri, në mënyrë të paligjshme, kundrejt fitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një aparat celular.

Materialet në ngarkim të shtetasit të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.