Finalizohet operacioni policor i koduar “GUDA”.

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në bashkëpunim me Seksionin Operacional.

Vihen në pranga 3 shtetas, njëri prej tyre doganier në Pikën Doganore Qafëbotë.

Sekuestrohet sasi e konsiderueshme të nënprodukteve të qumështit.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Gjirokastër në bashkëpunim me Seksionin Operacional, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “GUDA”, ku si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit: K. B., 52 vjeç, banues në Gjirokastër, J. H., 24 vjeç, banues në Gjirokastër dhe D. D., 48 vjeç, banues në Sarandë(me detyrë doganier në Pikën Doganore Qafëbotë.)

Shtetasit e mësipërm u arrestuan pasi, në aksin rrugor Qafë-Muzinë – Gjirokastër është konstatuar automjeti tip furgon me drejtues shtetasin K. B., brenda të cilit u gjetën 296 paketime me nënprodukte të qumështit, me peshë totale 4735 kg, pa dokumentacionin përkatës.

Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi K. B. në bashkëpunim me shtetasin J. H., kanë kaluar këtë sasi malli të nënprodukteve të qumështit nëpërmjet Pikës Doganore Qafëbotë pa kryer veprimet përkatëse.
Gjithashtu dyshohet se shtetasi D. D., me detyrë doganier ka shpërdoruar detyrën duke favorizuar këta shtetas për të mos kryer veprimet doganore.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan malli ushqimor dhe automjeti.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprat penale “Fshehja e të ardhurave “, “Tregëtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Shpërdorim i detyrës”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu