Kanosi për shkak të detyrës punonjësin e Policisë, vihet në pranga 50-vjeçari që ushtronte veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit.

Procedohen penalisht 2 shtetas të tjerë, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Sekuestrohen tre aparate celulare.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin H. Ç., 50 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi ka kanosur me fjalë, për shkak të detyrës, punonjësin e Policisë të DVP Gjirokastër. Gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, 50-vjeçarit i është gjetur një aparat celular, të cilin dyshohet se e përdorte për organizimin e basteve sportive online, në kundërshtim me ligjin.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në subjektin (lokalin) e këtij shtetasi, u konstatuan duke luajtur lojëra fati nëpërmjet aparateve celulare, shtetasit G. P., 26 vjeç, banues në Gjirokastër dhe A. H., 46 vjeç, banues në fshatin Picar, Gjirokastër, të cilët u proceduan penalisht për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tre aparate celulare.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.