Gjermania po negocion një kontratë paraprake për sigurimin e 2,5 milionë dozave të vaksinës ruse Sputnik V, siç bëri të ditur të mërkurën lideri rajonal Markus Soder. Vaksina, e cila po përdoret edhe në Shqipëri, është ende në fazë shqyrtimi nga Agjencia Europiane e Barnave.

“Ministri bavarez i Shëndetësisë erdhi tek unë para disa ditësh dhe më tregoi draft-kontratën që do të nënshkruanim me një kompani në Ilertisen, e cila do të na furnizojë me vaksinën Sputnik nëse do të aprovohet në Europë. Plani është të blihen 2,5 milionë doza në muajin qershor për të rritur kapacitetin e vaksinimit në rajon”, u shpreh Markus Soeder, kryeministër i Bavarisë.

Dega në Gjermani e prodhuesit rus, R-Pharm, ka një linjë prodhimi në qytetin bavarez të Ilertsen dhe do të prodhojë vaksinën ruse sipas disa mediave gjermane. Söder, një kandidat i mundshëm për të pasuar Angela Merkelin i ka kërkuar EMA-s që në mars, të përshpejtojë procesin e aprovimit për Sputnik V. Fushata e imunizimit në Bashkimin Europian është kritikuar si shumë e ngadaltë dhe shtete anëtare, të tilla si Austria dhe Sllovakia, kanë njoftuar tashmë se do të negociojnë për sigurimin e vaksinës ruse. Hungaria është aktualisht i vetmi shtet i bllokut që po përdor Sputnik V.

Qeveria gjermane ka thënë se do të presë vendimin e rregullatorit europian para se të hyjnë në negociata për blerjen e vaksinës ruse, por vendi ka qenë mes mbështetësve kryesor të Sputnik në BE. Shtete të tjera perëndimore akuzojnë Moskën se po përdor vaksinën si mjet për të zgjeruar ndikimin gjeopolitik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu