Donika Gervalla, Ministrja e Jashmtme e Kosoves, ne nje takim te saj me mergaten kosovare qe jetojne ne Gjermani, u ka bere thirrje qe te vaksinohen para se te shkojne ne Kosove, pasi ”Ne nuk kemi vaksina” eshte shprehur ministrja Gervalla.

Nga Deutsche Welle

Në prezantimin e saj të parë para publikut gjermanishtfolës, ministrja e jashtme  e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, u bëri thirrje pjesëtarëve të mërgatës kosovare në Gjermani që të vaksinohen përpara se të vijnë në Kosovë, për pushime: “Ne nuk kemi vaksina,” tha ajo.

“Deri tani kemi arritur të sigurojmë vetëm 60 mijë vaksina. E ato nuk na mjaftojnë as për dhjetë përqind të popullsisë. Tani po vjen vera dhe të gjithë do të kthehen për pushime. Prandaj ju lutem të gjithëve para se të vijnë në Kosovë që të vaksinohen”, tha Gërvalla-Schwarz.

Me këtë deklaratë, ajo bëri të qartë njëkohësisht edhe se në cilën fushë qeveria e Kosovës ka nevojë për ndihmë urgjente: luftimin e pandemisë dhe konkretisht sigurimin e vaksinave.

Edhe luftën kundër korrupsionit ajo e deklaroi si prioritet kyç: “Ky është shkaku se përse jemi zgjedhur, sepse ua kemi shpjeguar njerëzve se do ta shërojmë Kosovën nga kjo sëmundje”, tha Gërvalla.

Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë

Gërvalla-Schwarz u shpjegoi afro 200 pjesëmarrësve në takimin virtual se përse dialogu me Serbinë kërkon pak më shumë kohë për qeverinë e re: Ne duhet të studiojmë status-quo-në, tha ajo, pasi nuk kemi informacione  për bisedimet e deritanishme. Ajo u distancua nga përdorimi i termit “dialog”: “Unë nuk e quaj dialog, sepse ne nuk duam të vazhdojmë si më parë”, tha ajo duke premtuar një “frymë të re” në bisedime. Gërvalla-Schwarz siguroi se qeveria e Kosovës do të shkojë e përgatitur në Bruksel, por nuk dha hollësi se me cilat kërkesa konkrete.

Ministrja e Jashtme e Kosovës kritikoi Serbinë për qëndrimin pengues që mban në rajon dhe për ndikimin manipulues në Bosnjë-Hercegovinë, dhe ndërkohë edhe në Mal të Zi e Maqedoni të Veriut. Ajo theksoi se nuk është Kosova ajo që e pengon procesin e integrimit të rajonit në BE, por është Serbia, e cila si një shtet jodemokratik “po e mban peng rajonin”.

Statusin e kandidatit brenda katër vjetësh

Edhe pyetjes tashmë standarde që vjen në adresë të qeverisë Kurti për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, të cilën deputeti i Partisë së Gjelbër në Bundestagun Gjerman, Manuel Sarrazin, e përmblodhi me termin “Shqipëri e Madhe”, Gërvalla-Schwarz iu përgjigj duke i kujtuar deputetit gjerman mënyrën paqësore të bashkimit të Gjermanisë: bashkimi i trojeve mund të ndodhë vetëm në marrëveshje me fqinjët, duke qenë një shtet që rrezaton seriozitet dhe stabilitet, sikurse Gjermania, tha ajo.

Por ajo kujtoi se dëshira e shqiptarëve për të jetuar në një hapësirë të përbashkët kulturore dhe gjuhësore përmbushet fare mirë në kuadër të Bashkimit Evropian. “Dhe nuk keni përse të keni frikë tha ajo: 93% e shtetasve të Kosovës dëshirojnë të anëtarësohen në BE,” tha Gërvalla.

“Nëse e dëgjoni zotin Kurti deri në fund dhe nuk merrni vetëm deklaratat e shkëputura nëpër media do ta kuptoni se edhe ai këtë thotë,” tha ajo duke shtuar se qeveria e saj synon që brenda katër vjetëve të bëhet kandidate e BE-së.

Fokusi te mërgata

Takimi virtual ishte organizuar nga Shoqata e Evropës Juglindore dhe ODA (Organizata e Laureatëve Shqiptaro-Gjermanë), në Hamburg. Në fillim të takimit Peter Beyer, i ngarkuari i qeverisë gjermane për marrëdhëniet transatlantike, dhe raportues i grupit parlamentar CDU/CSU për Kosovën në Bundestag dhe Këshillin e Evropës, dhe Muhamet Idrizi,  kryetari i shoqatës ODA shprehën pritmëritë e tyre ndaj qeverisë së re të Kosovës,

Peter Beyer,  kishte thënë në fjalën e tij të shkurtër se pret që qeveria e re të tregojë rezultate konkrete në zotimet që ka bërë: lufta kundër korrupsionit dhe reformat, por kërkoi njëkohësisht që ta trajtojë dialogun me “përparësi” të lartë.

Ndërsa Muhamet Idrizi në pritshmërinë e tij formuloi ndër të tjera dëshirën për një përfshirje më të fortë të diasporës në çështjet e vendit, për mundësinë e votimit të diasporës, dhe rritjen e efektivitetit të punës së diplomatëve.

Gërvalla-Schwarz premtoi një angazhim më të madh të diasporës dhe tha se  mërgata do të luajë një rol të madh si në drejtim të ekspertizës ashtu edhe në fushën e investimeve. Ajo gjithashtu premtoi se qeveria e re do të sigurojë mundësinë e votimit nga diaspora.

“Argumentim i diferencuar”

Ishte hera e parë që Donika Gërvalla-Schwarz doli para publikut gjermanishtfolës si kryediplomate e Kosovës. Dallimi mes prezantimit të saj dhe paraardhësve të deritanishëm ishte i ndjeshëm, jo vetëm për faktin që e fliste gjermanishten pa theks. Ndër 50 pyetjet që shtruan pjesëmarrësit kishte edhe shumë komplimente për mënyrën “e diferencuar”, siç do ta quante njëri nga komentuesit, të argumentimit të 49-vjeçares së socializuar në Gjermani.

Ky prezantim virtual mund të lërë ca gjurmë në opinionin publik gjermanishtfolës. Të premten Bundestagu gjerman do të debatojë për zgjatjen e mandatit të Bundeswehr-it në kuadër të KFOR-it në Kosovë. Ky është një debat rutinor, por deputetët e shfrytëzojnë për të shpalosur opinionet e tyre për rajonin. Se sa do të ndikojë ky prezantim në fjalimet e tyre, kjo mbetet të shihet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu