Autostrada e re që do të lidhë Janinën me pikën kufitare në Kakavijë është një nga akset rrugore të përfshira në planin e qeverise greke deri në vitin 2027 me një buxhet total prej 240 milionë eurosh deri në fund të vitit.

Kjo autostradë kritike do t’u shërbejë sektorëve kritikë të ekonomisë lokale dhe rajonale, përfshirë turizmin dhe industrinë.

Duke qenë se do të lidhë Greqinë me Ballkanin Perëndimor dhe detin Adriatik, Korridori Blu do të luajë një rol vendimtar në stimulimin e aktivitetit tregtar dhe eksportues rajonal.

Nga Janina kryeministri Mitsotakis ka deklaruar se autostrada që do të lidhë Janinën me Kakavinë e me tej me Ballkanin Perëndimor do të jetë një moderne, e shpejtë, e sigurt, një rrugë që ka një rëndësi të madhe kombëtare dhe gjeopolitike, përveçse do t’i shërbejë popullit të Epirit.

Aksi rrugor Janinë-Kalpaki-Kakavie do të jetë një autostradë moderne e mbyllur me një gjatësi afërsisht 70 kilometra, me një korsi e gjysmë per trafikun në çdo drejtim pa ishull ndarës. Ky aksi i ri rrugor Janinë-Kalpaki-Kakavia do të lidhë Greqinë me Shqipërinë si pjesë e “Korridorit Blu” , një rrjet rrugor prej 1500 km.

Në projektin e Korridorit Blu janë të përfshira 8 vende Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Greqia, Italia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia. Projektet e ndërtimit në Kroaci kanë bërë përparim të konsiderueshëm. Parashikohet që pjesa kroate e Korridorit Blu të dorëzohet deri në fund të vitit 2022.

Në Shqipëri, ndërtimi i pjesës tonë rrugore të këtij korridori ishte planifikuar që të përfundonte në pranverën e vitit 2020, por pandemia e ngadalësoi zbatimin e projektit. Seksioni shqiptar i “Korridorit Blu” ka një gjatësi totale prej 315 kilometrash.