Vështrojeni me kujdes këtë hartë! Kjo është shpërndarja gjeografike e futbollit të elitës në Shqipëri. E Superiores tonë pra! Vetëm Skënderbeu në Jug, më saktë Juglindje (i dënuar me 10 vite nga UEFA). Tronditëse!

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Dhe të kuptohemi drejt, po kaq alarmante do të ishte anasjelltas, pra të ishte vetëm Vllaznia në Veri! Ky vëzhgim i “Panorama Sport” nuk është bërë për t’i qarë hallin vetëm Jugut apo Veriut të Shqipërisë, sepse jemi NJË! Përkundrazi, është për të sjellë në vëmendje se në ç’pikë kemi mbërritur… Flamurtari, Apolonia, Lushnja, Luftëtari, Bylisi, Tomori (ka ende një shans). Të gjitha jashtë Kategorisë Superiore. Pse?

SË PARI prej një politike të paprecedentë të FSHF-së, që ka këmbëngulur për një kampionat me 10 skuadra. Nuk do të shkruanim këto radhë sot nëse kjo formulë do të na kishte sjellë ndonjë zhvillim cilësor. Infrastrukturë më të mirë, klube me financa më të shëndosha, më shumë tifozë në stadiume dhe më shumë të ardhura nga talentet apo marketingu. A janë realizuar këto? Ftojmë FSHF-në të japë një përgjigje.

SË DYTI prej një neglizhence shtetërore kundrejt sportit në tërësi dhe futbollit në veçanti. Çdo vit nga paratë e taksapaguesve shqiptarë bashkitë investojnë në Shqipëri rreth 14.6 milionë euro për sportin (vëzhgim i “Panorama Sport” më 12 shkurt 2021), ku pjesa dërrmuese shkon për futbollin. Por, kjo hartë tregon qartë se nuk jemi në rrugën e duhur se si duhet të zhvillohet sporti. Ja pra, që stadiumet e reja dhe rikonstruksioni i tyre nuk garantojnë zhvillim cilësor dhe zgjidhje afatgjata të problemeve.

Nëse dikush ka dyshime për këtë, mjafton të shohë se ku është Flamurtari sot? Ku është Elbasani? Pse përfundoi ashtu Luftëtari? Janë shumë klube që thjesht mbijetojnë ose praktikisht janë të falimentuara, sepse qeveria nuk e ka marrë asnjëherë mundim të ndërtojë një strategji afatgjatë për zhvillimin e sportit dhe të përfundojë më së paku procesin e privatizimit. Ligjet për lehtësi fiskale ndaj atyre që investojnë në sport nuk u miratuan. “Jepini fund bojkotit – u thanë klubeve – se pastaj do ta zgjidhim”. As sot nuk është zgjidhur.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

 

Një premtim i pambajtur, ashtu si ai i marsit 2019 kur zotoheshin për reformim dhe zhvillim në sport. Tani pyetjet janë: Ku jemi dhe ku duam të shkojmë? A do të vazhdojmë me Superioren me 10 ekipe? A do të vazhdojmë me klube bashkish që “hanë” lekë nga taksat? Në një vend normal do të duhej minimalisht që dikush të japë llogari se përse shpenzohen kaq shumë para nga taksat dhe futbollin e kemi vetëm për mbijetesë. Do të duhej që vetë federata të reflektonte pas një eksperimenti disavjeçar, që nuk prodhoi dot ndryshimin që ajo ëndërronte. Do të duhej që të reagonin klubet e mëdha dhe të rebeloheshin, sepse sot Tirana, Partizani, Vllaznia dhe Teuta nuk luajnë dot me Flamurtarin, Luftëtarin, Elbasanin, Besën, Lushnjën, Apoloninë, Besëlidhjen, Tomorin etj…

Dhe kur nuk luajnë ndaj tyre humbin të gjithë. Humbin talentet që nuk evidentohen dot, humbin të mëdhenjtë që nuk mbushin dot stadiumet, humbin qindra-mijëra qytetarë shansin që të shikojnë ndeshje futbolli të Kategorisë Superiore dhe rrjedhimisht interesi sa vjen e ulet. A e ka luksin vallë Shqipëria sportive kaq e varfër dhe me një emigracion alarmant të ketë një kampionat me 10 skuadra si Zvicra, Austria apo ndonjë vend tjetër të pakrahasueshëm për nga zhvillimi ekonomik dhe social? Është një përgjigje që duhet ta japë FSHF së bashku me Ministrinë e Sporteve…

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

 

PSE ËSHTË UNIKALE

Sezoni 2021-2022 përkon me edicionin e 83-të të kampionatit dhe për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar, Jugu i vendit nuk do të ketë asnjë skuadër në elitë. Me rikthimin e Egnatias në Superiore pas 16 vitesh, elita është e ndarë si me thikë. Nga Rrogozhina e poshtë nuk ka më asnjë klub që militon në Superiore. Bylisi dhe Apolonia ishin të fundit që i thanë lamtumirë elitës në kampionatin që sapo u mbyll. Gazeta ka bërë një vëzhgim se çfarë ndodh me 17 ekipe në jug të vendit dhe rezulton që shumica e tyre do të luajnë në sezonin e ri në Kategorinë e Dytë (niveli i tretë i futbollit në vend).

Rasti i Luftëtarit të shkrirë, që tashmë quhet Akademia e Futbollit Luftëtari, është shembulli konkret se si u rrënuan klubet me traditë. Gjirokastritët, nga pjesëmarrja në Ligën e Europës në vitin 2018, këtë vit e nisën nga Kategoria e Tretë dhe tashmë do të fillojnë sezonin në Kategorinë e Dytë. Drama vijon me Flamurtarin, dikur kampion i vendit dhe që bënte histori në Europë. Javën e ardhshme do t’i duhet të luajë një ndeshje shtesë për qëndrimin në Kategorinë e Parë. Nëse nuk ia del, atëherë sezonin tjetër do të ketë derbi me Luftëtarin në të Dytën, por aty do të gjejë edhe Elbasanin. Në Kategorinë e Parë e kanë të sigurt pjesëmarrjen vetëm klube si Apolonia, Bylisi dhe Lushnja.

 Burimi: Panoramasport

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu