Sot luhen ndeshjet e fundit të Kategorisë Superiore për këtë vit, teksa vëmendja më e madhe shkon te ajo që konsiderohet si klasikja e Shqipërisë. Fjala është te takimi mes Tiranës dhe Vllaznisë.

Bardheblutë kanë ngecur në tre barazime radhazi dhe kërkojnë të rikthehen te suksesi, për t’u ngjitur në klasifikim. Pikërisht, ku në krye të renditjes janë shkodranët të cilët kanë 10 pikë më shumë se kampionët në fuqi dhe në rast të një triumfi vendosin përfundimisht kandidaturën për të rrëzuar Tiranën nga froni.

Ndërkaq, në ndeshjet e fundit për vitin 2020, Superiorja nuk dhuron vetëm Tirana-Vllaznia, por vëmendja shkon edhe për takimin në Laç, mes vendasve të Laçit dhe Partizanit. Të kuqtë vijnë pas një periudhe pozitive me dy suksese radhazi, ndërsa tashmë janë ngjitur në vendin e dytë. Të besuarit e trajnerit Ilir Daja shpresojnë ta mbyllin vitin me një fitore e më pas shpresojnë gjithashtu që merkati të jetë e mundur për të përmirësuar dhe më shumë skuadrën.

Nga ana tjetër, kurbinasit kanë pësuar humbjen e parë nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Duro, ndërsa ky i fundit do të kërkojë të shfrytëzojë njohuritë e mëdha për Partizanin, e të mposhtë ish-skuadrën e tij.

Ndërkohë, në Elbasan luhet një tjetër sfidë interesante teksa Kukësi pret Teutën. Verilindorët luajnë të parën pa Gegën trajner, ndërsa Rrahman Hallaçi do të provojë të rikthejë ekipin në “shinat e duhura” pas disfatës së thellë në takimin e fundit. Sakaq, durrsakët u ndalën në barazim ndeshjen e fundit dhe këtë sezon e kanë provuar shpesh këtë shenjë, ndaj do të mundohen të marrin maksimumin.

Dy sfidat e tjera të ditës janë jo më pak të rëndësishme, teksa Skënderbeu mund ta konsiderojë si një finale ndeshjen ndaj Bylisit. Korçarët e Ahmataj në rast se humbasin marrin një goditje të fortë në garën e mbijetesës. Ndërkaq, Apolonia e vendit të fundit pret Kastriotin. Të dyja skuadrat erdhën nga Kategoria e Parë, por kanë pasur rrugëtim të ndryshëm në elitë, ku krutanët kanë befasuar jo pak dhe në këtë sfidë do të provojnë sërish të marrin maksimumin. /VipSport.al/

Ndeshjet:

13:45 Apolonia-Kastrioti

13:45 Tirana-Vllaznia

13:45 Laçi-Partizani

13:45 Skënderbeu-Bylis

16:45 Kukësi-Teuta

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu