Nje jave para fillimit te Superliges Shqiptare te Futbollit, ballshiotet e ‘Bylisit’ i besojne stolin e trajnerit gjirokastritit te suksesshem Arjan Bellait.

Ish-mesfushori i Kombëtares Shqiptare, Arjan Bellai, vjen pas një eksperience të suksesshme në Greqi nën drejtimin e skuadrave si Apollon Larisa dhe Kallamata.

Me të parën iu afrua ngjitjes në Superligën greke në sezonin 2019-2020, ndërsa deri në muajin mars të këtij viti ka qenë në krye të Kallamatës, një klub me emër në shtetin fqinj. Bellai e ka nisur karrierën si trajner në vitin 2014 te skuadra e vendlindjes, Luftëtari.

Më pas FSHF-ja e emëroi në krye të Kombëtares U-19, ku qëndroi për rreth 2 vite. Sot gjirokastriti do të bëjë prezantimin në Ballsh, ndërsa me vete ka marrë edhe një ndihmës nga Greqia, pikërisht Konstantinos Mihailidhis, i cili ka qenë deri pak kohë më parë në stafin e Skoda Ksanthit.

Ky i fundit do të bëjë njëkohësisht edhe rolin e përgatitësit atletik. Debutimi i Bellait është të dielën në Ballsh kundër Kastriotit.