Presidenti i Republikës, Sh.T.Z  Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë pune në Frashër të Përmetit, për të vlerësuar dhe  nderuar me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, më të lartën në Republikën e Shqipërisë, tre atdhetarët e mëdhenj të kombit shqiptar, vëllezërit Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri, për kontributin e pazëvendësueshëm në zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe rilindjes kulturore e letrare, në shërbim të mbrojtjes së territoreve shqiptare dhe luftës për Pavarësinë e  Shqipërisë.

I shoqëruar nga Kryetarja e Bashkisë së Përmetit, znj.Alma Hoxha, autoritetet vendore, përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare dhe forcave politike në vendin tonë, studiues, historianë, intelektualë dhe banorë të shumtë, Presidenti Meta fillimisht vendosi kurora me lule në bustet e tre vëllezërve Frashëri dhe u përul me nderim e respekt të thellë para jetës e veprës së tyre.

Më pas, Kreu i Shtetit vizitoi shtëpinë muze të vëllezërve Frashëri, monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore,ku ndodhen një sërë dokumentesh që pasqyrojnëhistorikun e zonës dhe veprimtarinë e ndritur të tre rilindasve të shquar.

Gjithashtu, Presidenti Meta vizitoi edhe Teqenë e Frashërit, një fortesë e nacionalizmit shqiptar, me shumë ndikim tek vëllezërit Frashëri , ku u prit nga Baba Hekuran Nikollari.

Nëceremoninë solemne të organizuar me këtë rast para busteve të tre vëllezërve Frashëri, Kreu i Shtetit i akordoi Abdyl Frashërit (pas vdekjes) “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, me motivacionin: “Si një ndër adhetarët më të shquar në luftën për shpëtimin e trojeve shqiptare, bashkimin e popullit dhe çlirimin kombëtar të shqiptarëve. Si ideolog i spikatur i Rilindjes Kombëtare, një ndër organizatorët kryesorë dhe përfaqësues i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, burrë shteti me vizion, politikan, diplomat e personalitet me merita të jashtëzakonshme, i cili nuk kurseu asgjë për lirinë dhe lartësimin e kombit shqiptar”.

Ndërsa Naim Frashërit (pas vdekjes), Kreu i Shtetit i akordoi të njëjtën dekoratë, me motivacionin: “Për kontributin e pazëvendësueshëm në zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe të rilindjes kulturore e letrare, në shërbim të luftës për Pavarësinë e  Shqipërisë. Si poeti kombëtar, mendimtari dhe atdhetari i shquar i Rilindjes Kombëtare. Misionari, mësuesi dhe krijuesi talentuar, i cili i këndoi me përkushtim dhe i bëri jehonë atdhedashurisë, historisë, gjuhës, kulturës, identitetit dhe lirisë së shqiptarit. Frymëzuesi i madh i krenarisë, dinjitetit dhe vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, si dhe orakulli i pashtershëm i lirisë së tyre”.

“Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, Presidenti Meta ja akordoi Sami Frashërit (pas vdekjes) me motivacionin:“Si ideologu i Rilindjes Kombëtare. Atdhetar, dijetar i madh enciklopedist, gjuhëtar, shkrimtar, publicist, përkthyes i shquar, nxitës i vlerave të dijes, shkollimit, emancipimit dhe kurajës qytetare të bashkatdhetarëve.

Si vigani i mendimit filozofik, që u ofroi shqiptarëve programin dhe modelin e shtetit të tyre perëndimor. Në vitet më të vështira të kombit ai ofroi vizionin perëndimor, si dhe strategjinë për Pavarësinë, shtetformimin dhe përparimin afatgjatë të Shqipërisë”.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit u shpreh:

Është një lumturi e veçantë të jem sot me ju në Frashër, në këtë vend të shenjtë për kombin shqiptar, në djepin që përkundi me dije dhe atdhedashuri, Frashërllinjtë e mëdhenj, Abdyl, Naim e Sami, në vendlindjes së tyre që vezullon dritë kombëtare patriotike dhe qytetare në çdo kohë.

Kemi ardhur sot të përulemi përsëri përpara tyre, simboleve më të përkryera të Rilindjes tonë Kombëtare.

Rrallë mund të takosh në historinë  një kombi, tre vëllezër, që t’i kenë shërbyer të njëjtit ideal – çështjes së çlirimit kombëtar të Atdheut të tyre, jo vetëm nga zgjedha shekullore e huaj, por edhe nga prapambetja shoqërore, nga dogmatizmi ideologjik dhe nga vargonjtë që e pengonin të ecte drejt përparimit dhe qytetërimit europian.

Përulemi sot përpara Abdyl Frashërit – ideologut dhe veprimtarit politik, Naim Frashërit – poetit lirik dhe epik, Sami Frashërit – filozofit, ideologut të kulturës dhe vizionarit të së ardhmes.

Veprimtaria, shkrimet dhe pikëpamjet e tyre të mbledhura bashkërisht, zbulojnë dhe plotësojnë pothuajse të gjithë historinë e vërtetë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, gjerësinë dhe thellësinë e saj revolucionare, patriotike, demokratike dhe iluministe.

Secili prej tyre diti të shkrijë në fushën e vet të punës dhe të betejës dhe të tre sëbashku në një front të përbashkët, tri detyrat themelore që shtroheshin para vendit: shpëtimin e Atdheut nga copëtimi territorial, bashkimin e viseve shqiptare dhe lëvrimin e kulturës patriotike në shërbim të luftës së çlirimit kombëtar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu