Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar zëvendëskryeministrin e Parë në detyrë të Kosovës, z.Behgjet Pacolli me Dekoratën “Nënë Tereza”.  Në një ceremoni të zhvilluar në ambjentet e Presidencës, Meta e cilësoi Pacollin si një njeri të shquar dhe e vlerësoi për ndjeshmërinë e lartë që tregoi ndaj popullit të Thumanës dhe mbarë Shqipërisë, pas goditjes së tërmetit të 26-nëntorit.

Sipas Presidentit Meta, Pacolli është një njeri mjaft bujar dhe ka një veprimtari tejet frymëzuese humanitare. Ai vuri në dukje krijimin e fondacioneve për jetimët, refugjatët, në ndihmë të studentëve, në asistencën ndaj njerëzve në nevojë, ndërtimin e shtëpive për të varfrit, sponsorizimet në fushën e artit, kulturës dhe të sportit, dërgimi i dhjetëra pacientëve të Kosovës jashtë vendit për trajtim mjekësor e kështu me radhë. Gjithashtu Meta përmendi edhe ndërmjetësimet e Pacollit për lirimin e disa pengjeve dhe të një gazetari italian në vende në konflikt si Afganistani, duke e cilësuar si një ambasador të paqes.

Zoti Pacolli është një personalitet i shquar, që gjithçka e ka arritur vetë në jetën e tij falë përpjekjeve, studimeve dhe sfidave të panumërta me të cilat ai është ndeshur dhe jo vetëm ka arritur të dallojë dhe shkëlqejë në fushat e biznesit, të ekonomisë, të sipërmarrjes, por gjithashtu ajo që e bën atë të veçantë dhe mbi të gjitha, që e bën edhe të dashur për njerëzit, është pikërisht angazhimi i tij i pareshtur për dekada në aktivitetin humanitar, në shërbim të paqes, po kështu për krijimin e një imazhi të dalluar dhe pozitiv të shqiptarit në botë, jo vetëm si një sipërmarrës i suksesshëm, por edhe si një njeri i jashtëzakonshëm dhe me zemër të madhe,”- u shpreh Meta ndër të tjera.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu