Një autobus i linjës Kretë-Tiranë, ka ngelur për mbi dy orë në zonën e ndërmjetme të Kakavijes në kërkim për të hyrë në territorin shqiptar. Lajmi konfirmohet për Jugulajm.net nga autoritetet e Policisë Kufitare të Kakavijes të cilat shtojnë se autobuzi është me targa TR7210R dhe i përket linjës së transportit ndërkombëtar të udhëtarëve “AlbaTrans”. Autobuzi ka qëndruar më shumë se dy orë në zonën mes dy pikave kufitare pasi të 30 udhëtarët që ishin në bord, nuk pranonin të vijonin rrugën brenda territorit shqiptar me mjete të tjera pasi nuk egziston një alternativë e tillë.

Ka qenë ndërhyrja maksimale e Policisë Kufitare të Kakavijes që autobuzi të lejohej para pak minutash të udhëtonte në brendësi të territorit shqiptar me kushtin që të 30 pasagjerët dhe dy shoferët, të vetkarantinohen për një peiudhë jo më pak se 14 ditë.

Burimet nuk konfirmojnë se ndonjë prej pasagjerëve të jetë i prekur me Covid 19 por kjo është procedura valide në fuqi. Të gjithë pasagjerët kanë firmosur një formular përpara se të hynin në territorin shqiptar ku marrin përgjegjësinë që të vetkarantinohen sapo të shkojnë në banesat e tyre. Pavarësisht se egziston një urdhër i prerë dhe kompanite e transportit udhëtarëve kanë marrë njoftim për të mos qarkulluar në Greqi dhe anasjelltas, Policia Kufitare e Kakavijes u angazhua maksimalisht që udhëtarët në bordin e autobuzit të mos ngeleshin në rrugë dhe me bashkëpunimin edhe të prefektit të Qarkut Gjirokastër Astrit Aliaj, Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, u bë i mundur që autobuzi së bashku me 30 pasagjerët në bord, t’i jepej autorizimi për të udhëtuar drejt Tiranës nga ku më pas të gjithë pasagjerët dhe dy shoferët do të vetkarantinohen.

Autoritetet Policore Kufitare të Kakavijes kanë kërkuar ndërkohë nga kompanitë e transportit të udhëtarëve të mos qarkullojnë drejt Greqisë pasi nuk do t’u lejohet hyrja në shtetin fqinj duke pasur në konsideratë edhe aprovimin e palës greke për të mos lejuar hyrjen e asnjë autobuzi apo furgoni me udhëtarë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu