Tentativat për mbjelljen e kanabisit në fshatrat e Fierit nuk ndalen, pavarësisht operacioneve dhe kontrolleve të Policisë në tokat pyjore, tokat e bukës, oborre dhe deri brenda nëpër shtëpira.

Kanë rrezikuar në këtë biznes kriminal, edhë burrë e grua nga fshati Zharrëz i Patosit mbi 60 vjeç të dy, por janë arrestuar.

Policia e Fierit njoftoi se arrestoi bashkëshortët Xh.M, 61 vjeç dhe L.M, 60 vjeçe, banorë të fshatit Zharrëz në Patos.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre u gjetën 18 kg kanabis dhe rreth 82 gr. fara kanabis ndërsa gjatë kontrollit në pronën e tyre, pranë banesës, u gjetën të kultivuara bimë kanabisi, të cilat u asgjësuan.

Por, po gjatë këtij operacioni u arrestua në flagrancë edhe S. Rr, 35 vjeç, banues në Vlosh të Roskovecit. Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit në shtëpi dhe në ambientet përreth saj, Policia gjeti 8 kg kanabis.

Gjithashtu, brenda shtëpisë është konstatuar një ambient i përshtatur me llamba dhe pajisje të tjera të cilat dyshohet se do të përdoreshin për të kultivuar bimë narkotike.

Dosjet e tyre do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “prodhim dhe shitje e narkotikëve” dhe “kultivim i bimëve narkotike” në ngarkim të bashkëshortëve Xh.M dhe L.M dhe,  për “prodhim dhe shitje të narkotikëve” në ngarkim të shtetasit S. Rr.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu