Nëse disa drejtues policie u skeduan nga SHÇBA dhe SHISH si garantues të kultivimit të kanabisit nga bandat kriminale në vitin 2016, një prej tyre avancoi më tej, duke u kthyer në roje dhe magazinier i lëndës narkotike për Qarkun e Gjirokastës, si njeri i besuar i grupeve të drogës.

Jo vetëm kaq, por kishte parcelën e tij të drogës. Madje kur njëfarë Ervin Hysaj i vodhi 600 kg kanabis, ai angazhoi komisariatin për ta kapur!

Ai është ish kreu i komisariatit të Përmetit, Ermir Gërxhani, çuditërisht, sot shef i komisariatit të policisë së Kuçovës, ndonëse u shkarkua nga Haki Çako në vitin 2017.

Në prill të vitit 2017, policia, pas sinjalizimit nga SHISH, zbuloi 11.6 ton lëndë narkotike në ish-magazinat e rezervave të shtetit në Përmet. Ishte sasia më e madhe e kapur ndonjëherë.

Në ato magazina ishte mbledhur një pjesë e lëndës narkotike e kultivuar në vitin 2016 në zonat përreth, nën kujdesin e veçantë të policit Ermir Gërxhani, në atë kohë shef komisariati në Përmet.

Siç do të zbulohej më vonë, grupet kriminale dhe biznesmenë të përlyer me drogë, kishin vendosur si magaziner pikërisht shefin e komisariatit të Përmetit, Ermir Gërxhani.

Në fakt, nga pikëpamja e strategjisë kriminale, nuk mund të kishte një zgjidhje më të mirë, pra shefi i policisë që duhej të luftonte drogën, do të mbante çelësat e magazinave të drogës.

Një ditë pasi në një ish-depo të shtetit në Përmet u zbuluan 11.6 ton drogë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në atë kohë, Haki Çako, shkarkoi nga detyra Ermir Gërxhanin.

“Kryekomisar Ermir Gërxhani, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Përmet, për shkelje të rënda të Rregullores së Policisë së Shtetit, u shkarkua nga detyra“, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ermir Gërxhani i shpëtoi ndjekjes penale, duke ‘ia hedhur’ vetëm me shkarkim. Ai gjeti strehim tek oligarku Pëllumb Salillari… si roje.

Pas 4 vitesh, Salillari do të lëvizte mekanizmat e korrupsionit në Tiranë duke e rikthyer magazinerin e drogës Ermir Gërxhani në krye të komisariatit të Kuçovës, për ta përdoruar si mburojë për punët e tij të pista, kryesisht për krime mjedisore.

Magazinieri dhe vjedhja e drogës

Grupet mafioze i kishin vendosur Ermir Gërxhanit nofkën “magazinieri”, i cili kishte si detyrë që të magazinonte lëndën narkotike që ushte mbjellë në të gjithë Qarkun e Gjirokastrës. Por, ajo që është më e pabesueshme është fakti se Ermir Gërxhani kishte kultivuar edhe vetë disa parcela në malet e Përmetit.

Po në këtë kohë, Prokuroria për Krime të Rënda hetoi një grup kriminal, që ushtronte aktivitetin e tij në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike drejt Greqisë, ndërsa si prova para gjykatës janë paraqitur një sërë përgjimesh telefonike dhe ambientale, që kanë bërë të mundur identifikimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet.

Nga përgjimet rezulton se anëtarë të grupit shprehin shqetësim për sekuestrimet e bëra nga policia, por nga ana tjetër rezultonte se një shtetas kishte filluar të vidhte dhe lëndën narkotike.

Prokuroria për Krime të Rënda, e cila prej kohësh kishte arritur identifikimin e disa prej anëtarëve dhe vënien në përgjim të tyre, ka zbuluar se këtë lëndë narkotike kishte filluar tua vidhe shtetasi Ervin Hysaj.

Nga përgjimet e kryera, ka rezultuar se Ervin Hysaj, kishte vjedhur lëndën narkotike prej 600 kg në pronësi të shefit të komisariatit Përmet, Ermir Gërxhani. Ky i fundit, pas konstatimit të vjedhjes së lëndës narkotike, ka organizuar postblloqe në hyrje dalje të qytetit të Përmetit, por nuk pati rezultat në gjetjen e autorit të vjedhjes së kësaj lënde narkotike.

Hetimet në Prokurorinë për Krime të Rënda udhëhiqeshin nga prokurori Anton Martini, i cili me ndikimin e kësaj organizate mafioze, u shkarkua nga detyra.

Në kuadër të këtij hetimi, prokurori Anton Martini ka arrestuar 60 vetë si të implikuar në biznesin e drogës, por në momentin që po afroheshin prangat për Ermir Gërxhanin, u shkarkua me shpejtësi nga Vetingu. Sigurish falë ndikimit të grupeve mafioze dhe ndikimin e një oligarku.

Skandali më i rëndë në këtë histori është fakti se kryekomisar Ermir Gërxhani, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Përmet, pas u shkarkua nga detyra për shkelje të rënda të Rregullores së Policisë së Shtetit, është kthyer në policinë e shtetit në vitin 2021 dhe aktualisht është me detyrë shef komisariati në policinë e Kuçovës.

Nga viti 2017 deri në vitin 2021, Ermir Gërxhani ka qenë i punësuar nga Pëllumb Salillari si përgjegjës për sigurinë. Dhe më pas, po me ndikimin e Pëllumb Salillarit, është emëruar me detyrë shef komisariati në policinë Kuçovë.

Dihet publikisht se qindra banorë të fshatit Lumas, prej dy vitesh, janë përfshirë në një betejë ligjore me institucionet që kanë dhënë lejen e ndërtimit të një ujësjellësi, i cili do marrë ujin nga burimi i Sinecit dhe atyre që po e zbatojnë atë, përfshirë edhe biznesmenin Pëllumb Salillari.

Ditën e djeshme, masha e Salillarit, Ermir Gërxhani, ka mbështetur projektin me zhvillues ish-punëdhënësin e tij, Pëllumb Salillari edhe pse në konflikt të pastër interesi.

Ermir Gërxhani ka dhunuar disa banorë të fshatit Lumas, me urdhër të punëdhënësit të tij, Pëllumb Salillari. Vijon…

Burimi: ”Pamfleti”