E izoluar nga bota prej regjimit komunist të Enver Hoxhës, që sundoi për më shumë se 40 vjet, Shqipëria do të dilte nga kjo heshtje pikërisht prej një prej bijve të saj, shkrimtarit gjeni të Ballkanit, Ismail Kadare.

 

Kështu shprehen gazetarët e televizionit franko-gjerman “Arte”, të cilit i kanë kushtuar një reportazh vendlindjes së Kadaresë. E kanë quajtur “Shqipëria sekrete e Ismail Kadaresë” dhe është një ftesë për udhëtim nga Tirana, nga zona e ish Bllokut komunist, që sot gëlon nga jeta, drejt qytetit të gurtë, Gjirokastrës. Shqipëria përshkruhet si një kryqëzim kulturash dhe fesh, i virgjër dhe ngrirë në dukje, por që nën koracën e fortë fsheh sekrete të jashtëzakonshme. “Në këtë atmosferë ka lindur gjeniu i letërsisë ballkanike, Ismail Kadare. Ambienti përgjatë diktaturës komuniste rezonon në veprat e tij. Janë rreth 40 romane të përkthyer në më shumë se 40 gjuhë të botës. Por famën e fitoi në 1963 me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë do të jetë një personazh i përhershëm i romaneve të Kadaresë. Aty ku ai jetoi prej viteve ‘60, shkroi veprat e para, deri sa u largua në ekzil në Francë, pak para rënies së regjimit”. Një endje nëpër zonat e ndaluara për të arritur te vetë shkrimtari. “Kam ardhur në Tiranë në moshën 17-vjeçare. Ishte një qytet plot të panjohura dhe mistere dhe ky mister më përshtatej. Nuk kisha frikë prej tij. Madje, ndihesha mirë në ato ambiente mes gjërave të pashpjegueshme, mes gjërave të fshehura, që nuk kisha të drejtë të dija”, thotë Kadare.

“Në këtë atmosferë, Kadare i dha liri imagjinatës dhe krijoi një prej kryeveprave të tij, ‘Pallati i ëndrrave’, që merrte si model Komitetin Qendror. Është një variant i “1984” së George Orwellit. Përmes këtij romani nxjerr në pah paranojën e regjimit. Por vepra iu nënshtrua censurës dhe u ndalua. Ismail Kadare do të mbetej një nga kritikët më të ashpër të diktaturës, duke shfaqur fantazmën e një Shqipërie të përjetshme, me një histori mijëvjeçare të pasur, që kërkon të shpartallojë komunizmin. Një identitet që ai e gjen më së miri në qytetin që e rriti”, shprehen autorët.

Gjirokastra përshkruhet si një qytet i gurtë, i mbështetur pas malit, me shtëpitë gri, një mbretëri ëndrrash, ku Ismail Kadare ka kaluar aty fëmijërinë e tij. Një qytet i dominuar nga osmanët, italianët dhe nazistët, përpara se të binte nën regjimin komunist në 1944-n, të një tjetër biri të saj, Enver Hoxhës, shtëpia e lindjes së të cilit u kthye në muze. “Ismail Kadare ka pasur fatin të lindë në këtë qytet të pasur me histori, ngjarje, tragjedi. Ai ka arritur të kapë shpirtin e qytetit. Vepra më personale e tij ka lindur pikërisht aty, ‘Kronikë në gur’. Ngjarjet në këtë roman lirik zhvillohen në një kontekst lufte, rrëfyer nga një djalosh imagjinar, që përshkruan luftën me një naivitet prekës”, shprehet shkrimtari Ylljet Aliçka. Një vizitë në shtëpinë e shkrimtarit, nga odaja në oda, pastaj drejt kështjellës që dominon qytetin dhe nxit fantazinë e shkrimtarit.

“Imagjinoni një fëmijë që kalon fëmijërinë dhe luan në ambiente të tilla, do të ishte i ndjeshëm ndaj burgut. Një hapësirë e rrethuar me gurë që do të nxiste imagjinatën e kujtdo, jo më të një shkrimtari. Kështjellën, Kadare e ka përdorur në mënyrë alegorike. Ishte e pamundur të përshkruaje dhunën e burgjeve komuniste këtu në kështjellë, në letërsi. Ka qenë një mënyrë mbijetese. Mendoni që ka shkruar nën censurën komuniste dhe ka arritur t’i shpëtojë asaj. Me ulje-ngritjet e veta, por është një provokues ndaj diktaturës”, shton Aliçka. Dhe nga Gjirokastra, drejt një tjetër qyteti të stilit mesjetar osman, në Berat, ku Kadare u transferua për të njohur “bazën”.

Një qytet po aq interesant me mbivendosje kulturash dhe ku zunë fill të tjera vepra të Kadaresë, si “Ura me tri harqe”. “Aty lindi ‘Ura me tri harqe’. Ishte shumë e guximshme për kohën të bënte personazh kryesor një prift katolik. Kleri katolik pësoi persekutimin më të egër në atë kohë. Ne na sollën si ushtarë të socializmit dhe u bëmë dëshmitarë të vuajtjes së një populli. Ne zgjodhëm të ishim në anën e popullit. Në një errësirë të thellë duhej mbajtur një dritë ndezur, mbajtur gjallë me shpirtrat tanë”, shprehet poeti dhe studiuesi Sadik Bejko. Edhe pas 30 vjetësh nga rënia e diktaturës, Ismail Kadare vazhdon të na tregojë një Shqipëri drithëruese, gati ireale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu