Një oficere e policisë gjyqësore u arrestua këtë të martë. Raportohet se 47-vjeçarja, Arta Nazifi, punonte pranë Krimit Ekonomik dhe Financiar në postin e specialistes.

Ajo akuzohet për korrupsion pasi ka marrë ryshfet ngakundrejt premtimit të lehtësimit të pozitave penale të personave që hetonte. 47-vjeçares i është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Hetimet vijojnë për identifikimin e funksionarëve të tjerë të përfshirë në korrupsion.

Njoftimi i policisë:

Tiranë – Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” për punonjësen e policisë A.N., me detyrë Specialiste në Sektorin Kundër Krimit Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Caktimi i masës u bë pasi Drejtoria Rajonale e AMP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kreu hetime në kuadër të procedimit penal të vitit 2023, mbi dyshimet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Nga hetimet është krijuar dyshimi i arsyeshëm se 47-vjeçarja, në cilësinë e oficerit të Policisë Gjyqësore në Sektorin Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar, ka kërkuar e marrë një shumë monetare në formë ryshfeti, kundrejt premtimit të lehtësimit të pozitave penale të personave që hetonte.

Vazhdojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.