Njëri nga personat e arrestuar për aferën e inceneratorëve Enver Sheshi ka ndërruar jetë në spitalin e QSUT-së.

Sipas burimeve për mediat, mësohet se 59-vjeçari ka ndërruar jetë si pasojë e arresti kardiak.

Sheshi, administratori i kompanisë ‘Leli-17’sh.p.k është ndjerë keq gjatë qëndrimit të tij në burgun 313 atje ku qëndron prej disa kohës, ndërsa ishte dërguar me urgjencë në QSUT.

Por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ai ka ndërruar jetë në urgjencë. Kujtojmë se kompania e Sheshit akuzohet se merrte pagesa fiktive për inceneratorin e Fierit. Aktualisht policia po vijon dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Kujtojmë se Shehi akuzohet për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, “Mashtrimi me pasoja të rënda”, dhe pastrim parash.

SPAK ka konfirmuar se ka provuar një sërë veprash penale në ngarkim të të dyshuarve, përfshi përfitimet e paligjshme në mbi 146 milionë lekë që i janë transferuar ish-ministrit të Mjedisit përmes kompanive të lidhura me të dhe në mbi 14 milionë lekë transferuar ish-deputetit të Partisë Socialiste Alqi Bllako përmes pagës prej 6 mijë eurosh në muaj për babanë e tij.