Kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj është dënuar me gjashtë muaj burgim dhe punë në interes publik.

Ismailaj është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Më gjykim të shkurtuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktoi 40 orë punë në shërbim të interesit publik, që kryebashkiaku duhet t’i plotësojë brenda gjashtë muajve.

I pyetur nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha nëse do të tërhiqet nga detyra, ai u përgjigj se do ta ndjekë në shkallët e tjera të gjykimit.

“Kjo nuk e prek ushtrimin e detyrës”, tha Ismailaj, duke u shprehur se shërbimi i provës nuk e pengon të kryejë detyrën në krye të bashkisë.

Kryebashkiaku socialist i Mallakastrës, më herët i ka shpëtuar shkarkimit nga detyra. Edhe pse nuk kishte deklaruar se ka qenë i dënuar me 3 vite burg në Greqi për rrahje, KQZ “e fali” Ismailajn.

Kryebashkiaku përdori argumentin e Prokurorisë se dënimi për  rrahje në Greqi në vendin tonë cilësohet si kundravajtje penale që  parashikon vetëm gjobë.