Kryeministri ka firmosur largimet e para të drejtorëve të mëdhenj të administratës shtetërore, pasi i përdori rëndshëm për fushatën zgjedhore.
Siç e kishte lajmëruar gazeta “Panorama”, lëvizjet e para të këtij mandati do të ishin drejtorët e mëdhenj në nivel qendror, rajonal dhe bashkiak. Ish-zv.ministri i Infrastrukturës, Hantin Bonati, është emëruar në krye të Albcontrol, duke zëvendësuar Mina Kustën. Vetëm pak ditë më parë Bonati u lirua nga detyra me një vendim qeverie si zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.
Bonati e mbante detyrën si zv.ministër i MIE që nga tetori i vitit 2017. Ndërsa Ergys Verdho është shkarkuar si kreu i ARRSH-së dhe është emëruar drejtor i KESH-it. Verdho zëvendësoi Benet Becin, i cili u zgjodh deputet i qarkut të Shkodrës. Në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar është emëruar Evis Berberi.
Ajet Zyberi zuri vendin e drejtoreshës së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici, e cila u emërua dy javë më parë zv.ministre e Mbrojtjes. Por mësohet se lëvizjet do të prekin dhe tatimet e doganat, por dhe agjenci të rëndësishme shtetërore. Përtëritja e rejtuesve kryesorë të administratës publike pritet të bëhet nga kabineti aktual, ndërsa Kryeministri u shpreh dy ditë më parë se qeveria e re do të duhet të krijohet pas sezonit veror.