Njësoj siç u shfaq në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, ku Edi Rama nuk foli si kryeadministrator i shtetit por si zëdhënës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe specialit i shëndetit publik, edhe në postimet e fundit në faqen e tij në FB, kryeministri shkruan për teknikalitete, se si duhet të mbrohemi nga virusi.

Kurse në një postimin pasardhës, kryeministri i vendit i njofton nënshtetasit e tij për shifrat globale të të prekurve nga virusi, njësoj siç bën OBSH çdo ditë në buletin e saj. Duket se meraku më i madh i kryeministrit është intensiteti i lajmeve në mediat shqiptare për këtë temë, se sa çfarë po bëjnë realisht institucionet e shtetit që drejton.

Dy postimet e kryeministrit Rama

–Frika nuk ndihmon, kujdesi po!

-Shmangni sa të jetë e mundur shtrëngimet e duarve!

-Lajini rregullisht duart jo më pak se 20 sekonda dhe shmangni gjithashtu prekjen e syve, hundës dhe gojës pas kontakteve fizike me të tjerë!

-Nëse teshtini përdorni një pecetë letre apo vendosni krahun përpara gojës!

-Kujdesuni për më të moshuarit a të sëmurët kronikë në familjen tuaj, që të kufizojnë kontaktet fizike dhe daljet e panevojshme nga shtëpia (mesatarja moshore e atyre që kanë humbur jetën në itali, sipas statistikës së fundit, është 81 vjeç!)

-Mbani parasysh që pjesa dërrmuese (mbi 80%) e atyre që preken nga koronavirusi e kalojnë epideminë pa asnjë shenjë ose si një rrufë të zakonshme stinore.

-Mos u alarmoni nga shenjat gripale dhe mos lëvizni drejt e për në spital apo në qendrën shëndetësore, por telefononi menjëherë urgjencën kombëtare në numrin 127 dhe ndiqni këshillat e marra!

-Nëse vini nga zona e kuqe e italisë apo zona të tjera të prekura, vetëkarantinohuni në shtëpinë tuaj për 14 ditë, duke shmangur kontaktet me jashtë shtëpisë, pavarësisht se mund të mos keni asnjë shenjë shqetësuese!

-Bëni shumë kujdes me burimet e informacionit e sidomos me internetin dhe referojuni burimeve zyrtare të autoriteteve të shëndetësise e këshillave të tyre!

-Asnjë panik dhe asnjë dyshim se do ta kalojmë edhe këtë sfidë së bashku, duke mos e harruar asnjë çast se nuk jemi përpara fundit të botës, po përpara një virusi të panjohur deri më sot (me shërueshmëri mesatare statistikore në 97% të rasteve).

Një statistikë zyrtare që na ndihmon ta kuptojmë objektivisht situatën përtej bombardimit infodemik, non stop ditë e natë nëpër media dhe internet

Ja sa janë deri më sot të prekurit nga koronavirusi për 1 milionë banorë në disa vende të botës:

Në Kinë 56 persona të prekur për çdo 1 milionë banorë

Në Itali 122 persona të prekur për çdo 1 milionë banorë

Në Francë 18 persona të prekur për çdo 1 milionë banorë

Në Gjermani 13 persona të prekur për çdo 1 milionë banorë

Në SHBA 2 persona të prekur për çdo 1 milionë banorë

Siç e shihni proporcionet reale me të prekurve nga koronavirusi dhe popullsisë së përgjithshme, janë tejet më pak alarmuese se sa perceptimi i krijuar nga bombardimi mediatik i pandërprerë! Kjo duhet mbajtur parasysh, në asnjë mënyrë jo për të neglizhuar kërcënimin e këtij virusi të panjohur, po për të ruajtur ekuilibrin tonë psikologjik dhe për të mos i hapur asnjë shteg panikut që nxit INFODEMIA (epidemia e informacionit të çekuilibruar). E cila, sipas vetë Organizatës Botërore të Shëndetësisë është edhe më e rrezikshme se sa vetë epidemia e koronavirusit!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu