Nga Adi Krasta 
Tani, sheshi ku takohemi e flasim për shqetësime e halle, gëzime e pasione është terreni i rrëshqitshëm online. Në publikimet personale me përgjigje e kundër pergjigje na është bërë e dallueshme antipatia për vendin tonë. I referohemi të vetmit territor në botë ku do të duhej të ndjeheshim të sigurtë e të qetë për shkak të përkatësisë së natyrshme.

Ky komb i vogël- i madh duket se nuk gjen qetësi. E gjithë analiza ime dhe vendimi për të folur për këtë çështje në televizion, në mënyrë të dedikuar lindi pas deklaratës në fb të një mendjeje të mençur kosovare, se Kosova tanimë është si Austria ndërsa Shqiperia është si Gjermania.

Të dy vendet duket se kanë tani gjithmonë e më pak pika takimi në të folurën e përditshme. Përpara disa vjetësh një mik me të cilin punonim në Prishtinë e shpjegoi qëndrimin e tij austriak, konkurrues e të largët me atë gjerman të Shqipërisë duke deklaruar me sinqeritet,  se më mirë pranon të jetë i pari në fshat se i fundit në qytet. Pas një rinjohjeje të vonë dhe ndryshimeve të forta gjeostradegjike rajonale, Shqipëria dhe Kosova po e harrojnë në të folurën e përditshme e sidomos në aksionin politik, se janë pjesë të ndara brutalisht të një kombi të vetëm dhe jo dy kombe të veçantë të ndryshem nga njeri-tjetri.

Për mendjet analitike shqiptare të gjithë rajonit shqipfolës, nocioni kokëfortë e rezistent i kombit të bashkuar po vihet në rrezik nga të paret e fshatrave respektive të cilët e kanë më të thjeshtë të këndojnë në majë të plehut të tyre e të mos të vazhdojnë garën e shëndetëshme që në viset shqiptare ka qenë vibrante gjatë historisë.

Ka që pretendojmë se në të kundërt nga ajo që kemi besuar ndonjëherë shqiptarët nuk kanë pasur një komb të lavdishëm. Që të ishte i lavdishem ai duhet të kishte fituar luftrat me të cilat u ballafaqua dhe nuk do të duhej të sillej si humbës gjatë pushtimeve otomane e komuniste. Në dritën e kësaj pamundësie të shqiptarëve për të patur shtet të fuqishëm dhe respekt për veten një nga gazetarët e jashtezakonshëm të Kosovës që jeton në Zvicër thërret në apel elitat shqiptare, atë grupim njerëzisht të kulturuar, që e kanë sensin e historisë e mund të parashohin tallazet në detin e te ardhmes, për të krijuar kushtet e një iluminimi të shumëpritur të popullatave të Shqipërisë e Kosovës për tu bindur më në fund se të lidhur e bashkuar, me interesa të njëjta e përgatitje të përbashkët, kombi bëhet më i fortë dhe i mbijeton kohës i fuqishëm.

Mirëpo që nga Lidhja e Prizrenit me plateformën e saj të jashtëzakonshme Shqipëria e Kosova nuk kanë patur më një doktrinë elitare rezistence e fuqizimi. Në sheshin e thashethemeve online, shpotitë dhe sarkazma e majës së plehut e të parëve të fshatit hidhet e pritet në dy anët e kufirit si një pështyme që qarkullon duke bërë pis përveç njëri-tjetrit një altar të shenjtë, të vetmin, të madhin e të patjetersueshnin, atë të kombit. Kombi, i përçarë si gjithmonë, provincial, siç e quajnë të huajt, brilutalisht me vese, sidomos sëmurë me sindromin e pamundësisë së vetëqeverisjes pret që elitat e tij të mos sillen si të rastesishme, të përkoheshme, por të dalin në ballë të asaj që prej shekujsh pritet prej tyre. Janë pikërisht elitat shqiptare që e çbalancojne komunikimin mes dy e më shumë pjesëve të kombit.

Me boshllëkun e shpirtit të tyre dhe vasalitetin, me preokupacionin e shkëlqimit individual kundër mbështetjes së ëndrrës së përjetshme kombëtare. Dëshira e papërballueshme për thashetheme e small talk, fajësimi i pjesës tjetër të kombit me shtysën për të shitur mend, kinse në jemi më të mire e ata spo dinë, gjeneron ndasi tek njeriu i zakonshëm e sidomos te të rinjte e veçanerisht te fëmijet.

Ndërsa rrisim shqiptarë të këqinj, e gjithë kjo zhurmë e pakujdesshme egoiste shoqërohet nga dy fenomene të njohura ndër ne: udhëheqësit tradhëtare -shërbetore të armiqve tradicionale, agjentura fine dhe hiri që u hidhet syve me propagantë shqiptarëve partiakë. Ashtu sikurse iu fal armiqve tanë Shën Naumi, ishte shumë afër të falej Mitrovica e veriut. Ashtu u dhanë toka të vijës se demarkacionit me Malin e Zi. Kështu më parë u humbën Ulqini, Plava e Gucia, pjesa perëndimore e gjerdanit të Maqedonise së sotme perëndimore, Çameria, deti me Greqinë.

Tradhetitë nuk janë me anektodike. Ato kanë gjënë gjithmonë reale, të kryera nga udhëheqësit shqiptarë për interesa personale nën heshtjen dhe sytë e mbyllur të elitave kulturore e akademike të vendit. Nga ana tjetër, cinizmi e paternalizmi qeveritar e kryeministror gjen skenë në një propagandë të turpshme të asgjëse. Në të vërtetë produkti është ky: Shqipëria dhe Kosova rrezikojnë seriozisht të mbërrijnë statusquone e Austrise me Gjermaninë dhe jo siç do të duhej të ndodhte, bashkimin e dy Gjermanive.

Edhe ato në momentin e bashkimit ishin tjetërsuar e qëndronim përballë të ndryshme, por sot janë një në të vetmin vend të fuqishem. Pretendimi politik se dy vendet bashkohen në Europe është alibi dembelësh. ‘Open Ballkan’ është një platforme e nxitur nga organizata globale dhe dallueshem nuk privilegjojne shqiptarët, përkundrazi. Në këto dy dekada arsimi nuk është njësuar. Abetarja jo. Doganat jo. Policitë natyrisht që jo. Televizionet gjithashtu. Tregu i punës nuk është njëjësuar dhe kufiri vazhdon të mbetet refraktar.

Elitat, spitullaqe, të vetkenaqura, të pangjashme me Isa Boletinin në asgjë, vazhdojnë një teatër humbësash, zhurmnajë batutash dhe grindje statusesh në FB. Ndërkohë dy vende fqinje historikisht armiqësore me shqiptarët janë ende aty dhe nuk duket se kanë ndryshuar ndryshuar vetë apo ti ketë ndryshuar Europa. Meqë duam të jemi modern dhe dashuria për kombin tingellon jo e kohës. Pra, le të mos e shohim këtë komb dy pjesësh me patriotizëm që për shumë është koncept i dalë boje në këtë ekzaltim globalizmi.

Le ta shohim me pragmatizëm. Si bëhemi ne më të fuqishëm? Më të pasur për këtë shkak dhe më të lumtur? Duke u dashur pa kushte. Duke u njohur fuqishëm se koha nuk pret. Duke bashkuar çfarë të mundemi. Duke punuar të gjithë me organizim për një arritje ultimative të përbashket. Elitat të zgjohen urgjentisht, të shohin tablonë e madhe dhe ti largohen pasqyrës ku bëjnë monologun e të parit të fshatit. Duhen kontrolluar fort kryeministrat, ministrat e Arsimit e të Kultures, të Ekonomisë e të Diplomacisë.

Të ndërpritet menjëherë teatri i takimeve nderqeveritare bosh. Të krijohet një Komitet i Përbashket i Shpëtimit dhe Fuqizimit Kombëtar. Të rritet presioni fuqishëm që shkollat të reformohen që nga kopshti deri në universitet duke ju pershtatur sjelljes si një komb i vetëm. Ne nuk e kemi luksin të bëhemi Austria e Gjermania. Jemi shumë të dobët e të parëndësishem për ta pretenduar këtë.

Në fund sërish për elitat. Shkrimtarët, mësuesit, gazetarët, mjekët, blogerët, asat e shoubizit do të duhet të mblidhen në Prishtinë e Tiranë në dy forume të mëdha. Të dalin me një plateformë të fuqishme e reale, të realizueshme. E më pas të bëjnë të njohur vazhdimisht te fëmijët e vegjël që do rriten për ti bërë burra e gra të së ardhmes, se një komb i madh është gjithmonë më i fuqishëm se dy vende të vogla.

Se ja vlen të mësosh sesi fitohet e për çka mundesh pa egoizëm të ndjehesh krenar. Mësueset e gjuhës shqipe e leximit letrar le të propozojnë për nxënësit të shkruajnë ese analitike për shkrimet e Aurel Plasarit e Enver Robellit. Ndërsa për ne të tjerët, përfshirë mua, për shkak të rrezikut të të folurit extra parte e të arrogancës që të prodhon dhënia mend le ta mbyllim me Ismail Kadarenë tek “Ra ky Mort e u pame”:

Është e habitshme xanxa e shqiptareve për të futur hundët në çdo gjë, për të ngatërruar, për të kundërshtuar, për të shitur mend, për të qenë në qendër të vëmendjes. I shikoj se si hyjnë në polemikë me delegatët, me ambasadorin shqiptar, me ministrin e Jashtëm, me këdo që iu del përpara. Japin mendime për atë që ka ndodhur, për atë që do të ndodhë, për atë që s’duhet të ndodhë, e kështu me radhë. Japin gjykime për platformën shqiptare, për zgjidhjen rajonale, për strategjinë globale. Natyrisht që s’kanë faj ata qe edhe shqipen e flasin gjysma-gjysma, por kur i dëgjon si përzihen me duf në bisedë, si kundërshtojnë për çdo gjë e japin mendime për gjithçka, ata që nuk dinë asgjé, s’ka se si te mos nervozohesh e t’u thuash: llafazanë të pandreqshëm, mbylleni atë gojë të prapë!

Kadare ka të drejtë. Është koha të veprohet!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu