Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, vazhdoi me ‘spiropalizmat’ edhe në sallën e Kongresit të PS.

Ajo tha se qeveria pritet të legalizojë kanabisin, duke shtuar se luftën me hashashin e kanë të fituar.

“Luftën kundër kanabisit ne e kemi fituar dhe Shqipëria ka dalë nga harta e vendeve problematike në këtë drejtim.

Për këtë shkak, e për shumë të tjera arsye, ne vëmë re që mbi 60 përqind e qytetarëve që janë përgjigjur, 309 mijë shqiptarë janë dakord që vendi të lejojë kultivimin, përpunimin e eksportimin e kontrolluar rreptësisht nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, por duke vijuar ta kriminalizojë atë për trafik apo përdorim vetjak”.

“Shqiptarët gjykojnë në shumicë se një qasje e tillë do dekurajojë ilegalitetin dhe kriminalitetin e lidhur me këtë problem madhor jo vetëm shqiptar, por dhe ndërkombëtar.

Ne do e dëgjojmë zërin e tyre për legalizimin e kanabisit mjekësor dhe do hapim një front të ri pune dhe rritje ekonomike duke vënë në binarë ligjore e duke luftuar kriminalizimin e këtij fenomeni siç kemi bërë deri më sot”, tha Spiropali.