Gentian Kaprata

Urbanism & Democracy

Panairi i librave, një nga eventet më të rëndësishme kulturore në vend, u sfumua sivjet nga një tjetër panair. Propaganda shtetërore përdori paratë e shqiptarëve për tju mbushur mendjen shqiptarëve se edhe në Shqipëri ‘toka punohet’! Ajo organizoi panairin e prodhimeve bujqësore, blegtorale, akuakulturës, agropërpunimit dhe agroturizmit; në të njëjtët ditë kur edhe shtëpitë botuese, sikurse çdo vit, organizojnë panairin e librit. Në fakt, qeveria nuk ka ndonjë inat me librin, ose së paku, nuk ekziston asnjë provë objektive që ta mbështesë këtë “tezë”. Problemi i kësaj qeverie ka qënë, mbetet dhe përforcohet në kohë, te qasja e saj populiste, demagogjike, fasadiste dhe centraliste se ‘është duke bërë shtet’ që e përkthyer nga kuptimi i saj mund të formulohet ‘asgjë individuale nuk ka vlerë jashtë organizimit shtetëror’. Nga ky frymëzim duket se origjinalizon edhe kjo përplasje e rastësishme midis një eventi të organizuar nga nisma e sipërmarrjes private dhe një eventi të organizuar nga shteti që kontrollon gjithcka.

Dhe këtu vijmë edhe te thelbi i këtij shkrimi të shkurtër opinion; pse i duhet një panair i tillë Tiranës Urbane dhe pse duhet të jetë i organizuar nga makineria e shtetit! Këtë të dytën, le të themi se e argumentuam me karakteristikat e Shtetit të Madh të kësaj qeverisje, kurse për të parën do na duhet të thellohemi pak më shumë. Sepse, edhe më skeptikët ndër ne e kuptojnë se në trojet shqiptare toka nuk ka filluar të punohet dy vitet e fundit të qeverisjes rilindase, bile as vetëm në shtatë vitet që Shqipëria qeveriset nga rilindja. Nëse i referohemi teoricienëve të urbanistikës që mbështesin tezën ‘e dominancës së bujqësisë’ për mënyrën sesi njerëzit e parë krijuan vendbanimet e para të përhershme, toka është punuar mijëra vjet më parë, përfshirë edhe trojet e banuara nga shqiptarët. Mirëpo, megjithëse shqiptarët e punojnë tokën prej kaq shekujsh, duket se vitet e fundit prodhimet bujqësore nuk po mbërijnë dot në tavolinat e tyre.

Për ti rënë shkurt, dickaje për të cilën mund të flitet me ditë, fajin që në tavolinat shqiptare nuk po mbërijnë prodhimet shqiptare e ka fajin edhe modeli territorial, që veçanërisht kjo qeveri po e stimulon, Durasana. Ne për këtë model, dhe veçanërisht për dëmet e tij në shumë aspektet të jetës së shqiptarëve të sotëm kemi folur dhe do të vijojmë të flasim sepse është ky model që po dëmton Shqipërinë dhe gjithë modelete  saj patriotike, ekonomike, sociale dhe politike. Ky model ka të bëjë me koncentrimin e popullsisë në Tiranë, Durrës dhe qytetet e ultësirës Perëndimore, duke shpopulluar territore të tjera periferike apo kufitare të Atdheut; dhe pa rregulluar këtë model, është e kotë të synojmë balanca të reja patriotike, ekonomike dhe politike. Ky model i mbrapshtë territorial vepron në dy mënyra për të larguar gjeografikisht prodhimin nga konsumi: së pari, duke larguar territoret ku prodhimet bujqësore prodhohen, nga territoret ku ato konsumohen; dhe së dyti, duke prioritizuar, në territoret ku konsumohen prodhimet bujqësore, përdorimin e tokës për zhvillime ndërtimore mbi përdorimin e tokës për bujqësi.

Grumbullimi i popullsisë, që tashmë e ka kaluar 60% të popullsisë kombëtare, në Durasanë nga njëra anë dhe lokalizimi i territoreve ku zhvillohet bujqësia, blegtoria në territoret e tjera të vendit, bën që konsumatorët më numerikë dhe shumica e prodhimeve të jenë aq larg njëri tjetrit saqë të kenë nevojë për shumë transport dhe shumë ndërmjetës ‘për tu takuar’! Të dyja këto janë kosto që i shtohen cmimit me të cilin produktet mbërijnë te konsumatori, dhe në këtë kuptim bëhen vështirësisht dhe me kosto të lartë për tu konsumuar. Shikoni protestat e fermerëve të qarkut Fier në ditët e fundit, por edhe ato të Korcës apo Kukësit në kohë të tjera, sepse në Shqipëri nuk ka vetëm panaire por edhe protesta. Produktet e tyre shiten për “5 lekë” atje ku prodhohen, por bëhen të “pa arritshme” për xhepat e varfëruar të konsumatorëve. Sigurisht që për këtë kanë ndikuar edhe taksat e Shtetit i Madh e të plotfuqishëm që bën shfaqje teatrale panairesh me paratë e taksapaguesve, për ti mbushur mëndjen shqitarëve të ‘blejnë shqip’.

Durasana dëmton ekonominë bujqësore dhe blegtorale edhe për shkak të prioritizimit të përdorimit të tokës për zhvillim ndërtimor. Nuk ka nevojë për argumenta të gjata, sepse është e kuptueshme për këdo se familjet e zonave periferike të super qyteteve Tiranë Durrës dhe Elbasan fitojnë më shumë dhe menjëherë duke e ‘dhënë tokën’ për ndërtime sesa po ta punojnë atë. Grumbullimi i popullsisë në këtë rajon, vijon të stimuloj imigracionin, dhe në këtë kuptim të prodhoj nevojë të vazhdueshme për ndërtesa e troje të reja ndërtimore. Sigurisht, edhe për këtë ka “ndihmuar”  Bashkia Tiranë me politikat e saj urbane që e stimulojnë këtë fenomen. Por edhe duke i kthyer ‘tregjet fshatare’ ku duhet të shesin pikërisht bujqit e periferive të qytetit, në ‘tregje industriale’ ku shiten me cmime të disafishuara produktet e zonave të tjera apo akoma më keq produkete të importit. Për tu përmendur është edhe “ndihma” e Policisë Bashkiake që arreston  dhe sekuestron prodhimet bujqësore të çdo bujku lokal, i cili guxon ta thyej këtë regjim shitjes me pakicë të produkteve bujqësore, duke nxjerrë ndonjë produkt të tij në trotuaret e qytetit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu