Më në fund qeveria ka pranuar paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë për të qenë e gatshme për të përballuar situatën e rënduar që kemi sot në dy spitalet, që po trajtojnë COVID-19. Pavarësish nga mbajtja “nën kontroll” e shifrave të të infektuarve edhe nëpërmjet testimeve të pakta, duket se sistemi shëndetësor shqiptarë po kalon në kolaps.

Vetë ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu duke e quajtur situatën të pazakontë nëpërmjet një shënimi në rrjetet sociale ka njoftuar se po bëhen gati edhe maternitetet dhe spitalet rajonale për të trajtuar me terapi intensive të sëmurët e shumtë me COVID-19.

“Vijojmë të përgatisim sistemin shëndetësor për këtë situatë të pazakontë, me investimet në terapitë intensive jo vetëm të spitaleve COVID, por edhe në maternitete dhe spitalet rajonale. Të gjithë bashkë të mbrojmë stafet mjekësore që çdo ditë kujdesen që nënat dhe të porsalindurit të jenë të shëndetshëm dhe të sigurt”, shkruan sot ministrja.

Prej muajsh, nga ekspertë të shumtë të mjekësisë dhe Shëndetit Publik i është kërkuar ministrisë së Shëndetësisë dhe qeverisë që të marrin masat paraprake për këtë “periudhë të pazakontë” që kemi sot siç edhe detyrohet ta pranojë ministrja Manastirliu.

Gjatë periudhës së mbylljes së madhe të gjitha qeveritë në botë morën masa për të bërë atë që premton të bëjë sot qeveria shqiptare, duke kthyer edhe maternitet në qendra për trajtimin e virusit, por në fakt më shumë janë marrë me propagandë “suksesesh” imagjinare dhe tendera abuzivë në shëndetësi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu