GJKKO ka dhënë vendimin sot duke e dënuar me 1 vit e 4 muaj burg ish-drejtorin e RTSh, Thoma Gëllçi. Ai u gjet fajtor për akuzën “shpërdorim detyre”.

Kujtojmë që pak ditë më parë Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK dha pretencën dhe kërkoi 1 vit e 8 muaj burg për ish-drejtorin e RTSH-së, Gëllçi.

Gëllçi u arrestua me urdhër të SPAK në tetor të vitit të kaluar, bashkë me tre punonjës të tjerë të Radio Televizionit Shqiptar.

Sipas SPAK, Gëllçi dyshohet se ka kryer shkelje ligjore në një procedurë prokurimi, shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit me objekt “Blerje pajisje për kanalin RTSH Agro”, me fond limit afro 87 milionë lekë të zhvilluar në datën 9 nëntor të vitit 2018.