Zbardhet ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në Delvinë, ku u dogj një automjet tip “Suzuki”, duke vënë në pranga autorin e dyshuar.

Në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin me fakte ligjore, të ngjarjes së ndodhur në orët e para të ditës së djeshme, në lagjen “9 Nëntori”, Delvinë, ku u dogj automjeti tip “Suzuki”, në përdorim nga shtetasi L. K., 33 vjeç, banues në Delvinë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Delvinë arrestuan në flagrancë shtetasin Sh. Sh., 47 vjeç, banues në Delvinë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 47-vjeçari, për motive të dobëta, i ka vënë zjarrin automjetit të shtetasit L. K.

Lidhur me këtë rast materialet i kaluan Prokurorisë Sarandë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.