Nga Prof. Tritan Kalo.

Ku është vetndërgjegjësimi?!  Kukamçefti është loja që ne po bëjmë me Covid-19. Dyndemi rrugëve për 8 orë midis orëve 5:00 – 13:00 dhe më pas ne vijojmë dhe e gënjejmë veten, se po i fshihemi rrezikut të infektimit prej tij, duke qëndruar të mbyllur në shtëpi deri të nesërmen, kur t’ia mësyjmë sërish rrugëve të qyteteve tona.

Për fatin tonë të keq, ankthin e mbylljes na e shtojnë emisionet disaorëshe televizive me të sëmurët me Covid-19 në Shqipëri dhe nëpër botë, me të vdekurit e shumtë të kësaj “flame” dhe ne pak shumë pak shohim art viziv, histori, gjeografi, dëgjojmë muzikë, humor, mënçurira e optimizëm socio-historiko-ekonomik nga këto ekrane.

Ekspertiza “Covidiane” po që edhe ajo vijon e rrjedh si lumë nga këto ekrane, dhe “i ziu qytetar i këtij vendi nuk di se çfarë të bëjë.

Protagonizmi i kërkuar me çdo çmim e mjet në këto kohë shumë-shumë gri për shoqërinë tonë, është i dëmshëm dhe jo produktiv si në planin individual po ashtu edhe në atë shoqëror.

Bashkëkombasit e mi, qëndroni në shtëpi, lexoni, dëgjoni muzikë, gëzojuni pranisë së fëmijëve dhe të afërmve tuaj, gatuani, flisni e flisni me plot dëshirë e pathos për jetën me të dashurit tuaj, për aq kohë sa edhe ritmi i jetës ende nuk ju ka ripërfshirë në vorbullën e saj, sepse jeta nuk është vetëm zhytje në detin e zi të Covid-19, dhe se çdo e keqe sado e madhe qoftë ajo paska edhe ndonjë element “mirësie” brënda saj.

Mbi të gjitha kurrë të mos ju mungojë solidariteti me ata, që e përballojnë jetën në mesin shumë e shumë vështirësive.

Janë nënat, baballarët, motrat, vëllezërit e fëmijët tanë edhe ata. Dasitë socio-ekonomike të krijuara në këto 30 vite demon-kraci janë ulëritëse, sepse në mënyrë pameritore shumë individë që deri dje “brekëgrisur e barkëtharë i gjeti mëngjesi, milionerë i zuri nata”, vetëm e vetëm sepse përftuan nga politikat rrënuese të ardhëmërisë sonë.

Nuk ka Covid-19 që ta zhdukë këtë plagë të dhimbshme e qelbrrjedhëse” të shoqërisë sonë të shpërfytyruar. Me durim besim ne do të tía dalim mbanë betejës kundër Covid-19 dhe koha postcovidiane detyrimisht që do të duhet të jetë ajo e korrigjimeve të pabarazive socio-ekonomiko-politike, nëse ende ne bartim në zemër dëshirën e flaktë të të qenurit shqiptar si dhe atë të mbrothsimit të mëmëdheut onë të përbashkët!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu