Greqia ka nisur injektimin e vaksinave të para. Por mësohet se qevria në këtë vend ka vendosur që edhe minoritarët grekë që jetojnë në Shqipëri, por janë pjesë e skemës së shërbimeve shëndetësore në shtetin fqinj, do të përfitojnë nga kjo vaksinë.

Në studion e lajmeve në TvT, kryetari i Bashkisë së Finiqit, Kristo Kiço konfirmoi këtë lajm dhe sqaroi se ata do të jenë të detyruar të paraqiten në Greqi, pasi kushtet e transportit të vaksinës janë specifike.

“Një pjesë e mirë e minoritarëve që përfitojnë nga sigurimet shëndetësore, do ta përfitojnë edhe ata vaksinën gjatë marsit. Do të paraqiten banorët brenda rregullave në Greqi, pasi kushtet në të cilat transportohet vaksina janë specifike. Jemi në kontakte të vazhdueshme për të parë si do të realizohet ky proces”, tha ai.

Ndërkohë, lidhur me situatën Covid në Bashkinë e Finiqit, Kiço tha se për shkak edhe të moshës së madhe mesatare të popullsisë së kësaj bashkie, është bërë e nevojshme një marrëveshje me spitalin e Sarandës si dhe me atë të Janinës.

“Kemi pasur mjaft raste edhe në Bashkinë e Finiqit. Duke e krahasuar edhe me periudhën e verës, Saranda ka pasur një numër të lartë të të sëmurëve me Covid. Në Bashkinë e Finiqit kemi pasur goxha raste, i kemi trajtuar. Kemi një marrëveshje me spitalin e Sarandës për një ambulancë. U gjendemi të gjithë banorëve të bashkisë së Finiqit, të cilët janë banorë të moshës së tretë që kanë nevojë. Kemi marrëveshje edhe me spitalet e Janinës dhe rastet që nuk mund të trajtoheshin këtu janë transportuar atje”, tha ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu