Rritja më e fundit e çmimit të karburanteve në tregje e ka vënë Shqipërinë në krye të listës rajonale. Nafta dhe benzina në tregjet tona janë më të shtrenjta se kudo.

Sipas shifrave të marra nga www.globalpetrolprices.com, të cilat i referohen datës 31 janar 2022, një litër benzinë në Shqipëri tregtohet mesatarisht me 1.801 dollarë, përkundrejt cmimit më të lirë që është në Bosnjë Hercegovinë me 1.403 dollarë për litër.

Nafta në Shqipëri tregtohet me 1.783 dollarë për litër nderkohë që cmimi më i lirë është në Maqedoninë e Veriut me 1.286 dollarë për litër.

Çmime të përafërta me Shqipërinë ka Serbia, por edhe atje karburantet nafta e benzina shiten më lirë se në tregun shqiptar. Në tregun e gazit të lëngshëm Serbia është më e shtrenjta në rajon dhe në vend të dytë është Shqipëria.

Çmimi më i lirë i gazit është në Kosovë me vetëm 0.580 dollarë për litër.

ÇMIMET E KARBURANTEVE NE RAJON
(dollar për litër më 31 janar 2022)

VENDI BENZINA NAFTA GAZI, LPG
Shqipëria 1.801 1.783 0.864
Serbia 1.634 1.720 0.898
Mali i Zi 1.595 1.438 0.819
Maqedonia e Veriut 1.421 1.286 0.815
Bosnjë e Hercegovina 1.403 1.403 0.833
Kosova 1.510 1.490 0.580

Burimi: https://www.globalpetrolprices.com/

Dy ditë më parë ministrja e financave dhe e ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se çmimet janë një produkt i tregut të lirë dhe se parashikonte që ata të reduktohen pas 6 muajve të parë të këtij viti.

“Rritja e çmimit të naftës kanë qenë subjekt i rritjeve prej muajsh, jo vetëm në Shqipëri, rajon dhe Europë. Jemi në monitorim të çmimeve të bursave që të parashikojmë të gjithë ndërhyrjet që mund të bëhem, megjithatë dua të them që ne nuk operojmë në ekonomi tregu të lire”, tha Ibrahimaj.

Në këtë situatë të rritjes së çmimeve në tregun vendas ka ndërhyrë edhe Presidenti Ilir Meta, i cili me një postim në rrjetet sociale shkruante se çmimet po i vendosin oligarkët dhe jo tregu. “Nga fillimi i shkurtit 2022, çmimet e karburanteve në Shqipëri u rritën sërish me gati 8 lekë për litër, duke arritur nivele rekord, teksa po i afrohen 200 lekëve për liter…Çmimet në Shqipëri i vendosin oligarkët dhe jo tregu!”, shkruante Meta.

Prej kohësh ekspertët kanë ngritur shqetësimin se shtrenjtimi i naftës në Shqipëri vjen edhe për shkak të barrës së rëndë fiskale që aplikon qeveria. Në vendin tonë aplikohen  5 lloj taksash mbi karburantet që zënë rreth 60.1% të çmimit final të tyre.

Aktualisht për 1 litër naftë, konsumatorët paguajnë 37 Lekë Akcizë për karburante, 27 Lekë/litër Taksë Qarkullimi dhe 3 Lekë/litër taksë karboni.

Kësaj vlere i shtohet TVSH prej 20%, e cila po ashtu rëndon konsumatorin në masën rreth 33.4 Lekë/litër, duke bërë totalin prej 100.4 Lekë/litër vetëm taksa, pa marrë në konsideratë kosto të tjera të pikave të karburantit që operojnë në Shqipëri.

Ndërkohë vendi me barrën më të ulët të taksave ndaj çmimit final që paguan konsumatori për 1 litër naftë, është Maqedonia e Veriut, ku taksat zënë 40.1% të çmimit final, pasi në çmimin final përfshihet vetëm Akciza prej 28 Lekë/litër dhe TVSH që është 18% e çmimit final.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu