Ka marrë pjesë në gjykimin dhe shkarkimin nga detyra të dhjetëra prokurorëve dhe gjyqtarëve për fshehje pasurie, por vetë rezulton më e kompromentuar se sa disa nga magjistratët që ka shkarkuar. Bëhet fjalë për anëtaren e shkallës së parë të Vetingut, Brunilda Bekteshi, e cila dyshohet se është përfshirë në falsifikim dokumentesh, evazion fiskal, mashtrim me tasat, fshehje të ardhurash dhe mashtrim me pasurinë, veprime për të cilat janë shkarkuar rreth 200 gjyqtarë dhe prokurorë.

Le të ndalemi tek faktet. Brunilda Bekteshi rezulton e punësuar si përmbaruese gjatë periudhës 2013-2016, në formën e personit fizik, me nipt L31421005M. Brunilda Bekteshi është regjistruar si person fizik në shkurt 2013. Bekteshi nuk ka deklaruar pagën për muajit mars-shtator 2013, duke mos paguar sigurimet shoqërore, mashtruar sigurimet dhe mos deklaruar punësimin.

Bekteshit i mbushet mendja për të deklaruar punësimin për disa muaj në vitin 2014, por jo për muajit qershor, korrik, grusht dhe shtator të këtij viti, edhe pse subjekti person fizik, referuar historikut në QKB, nuk rezulton që të ketë pezulluar aktivitetin.

Në 2015, Brunilda Bekteshi ka deklaruar zero të ardhura dhe asnjë pagë, ndërsa gjatë vitit 2016, ka deklaruar pagën vetëm për muajin korrik. SPAK duhet të verifikojë titujt ekzekutivë dhe vendimet që ka ekzekutuar Brunilda Bekteshi, gjatë periudhës 2013-2016, për të faktuar jo vetëm mashtrimin me pagat, por edhe fshehjen e të ardhurave.

Nga ana tjetër, dokumentet e tregojnë Brunilda Bekteshin edhe një juriste të dështuar, pasi për vitin 2013, për shembull, ka deklaruar të ardhura nga aktiviteti si përmbaruese në vlerë 95 mijë lekë, ndërsa gjatë viteve të tjera zero të ardhura.

A mund të konsiderohet e shquar një juriste e tillë?!

Dhe si arriti të zgjidhej Bekteshi në KPK me këtë performancë?! Mbase për këtë mund të përgjigjet Fatmir Xhafaj.

Dosja për pasurinë

Ndaj Brunilda Bekteshit është referuar një kallëzim penal në SPAK nga ish prokurori Bujar Hoti, i cili pretendon se anëtarja e Vettingut ka konsumuar veprat penale të fshehjes së pasurisë dhe të falsifikimit të dokumenteve.

Prokurori i SPAK-ut Dritan Prençi kërkoi pushimin e çështjes me pretendimin se nuk ekziston fakti penal i deklarimit të rremë të pasurisë dhe falsifikimit të dokumenteve. Por, Gjykata e Posaçme, në janar 2022, ka vlerësuar se hetimi është i paplotë, duke vendosur kthimin e akteve dhe vijimin e hetimeve.

Sipas dosjes, Brunilda Bekteshi ka lidhur një kontratë shitblerje apartamenti në vitin 2007, në shumën 3,100,000 lekë. Dy vite më pas, në 2009 është marrë një kredi në bankë NBG-Durrës, për blerje apartamenti në shumën 54 mijë euro ndërkohë që në dokumentacion, kuptohet se kredia që është marrë për blerjen e apartamentit që në të vërtetë është blerë në vitin 2007.

Në lidhje me këtë pronë, në dosjen kallëzuese thuhet se nuk rezulton të ketë një kontratë për blerje të apartamentit pas marrjes së kredisë në vitin 2009.

Po kështu huaja bankare e marrë është shlyer brenda një afati 5 vjeçar, duke krijuar dyshime mbi të ardhurat e siguruara për mbylljen e kredisë.

Gjithashtu theksohet më tej se këto të dhëna, nuk janë pasqyruar saktë nga Brunilda Bekteshi, në deklarimin e pasurisë gjatë fillimit të detyrës si komisionere në vitin 2017, fakt ky i evidentuar edhe nga SPAK.

Prokurori Prençi e mbajti dosjen e Bekteshit një vit në dorë dhe kur publiku pothuajse e kishte harruar si çështje, befas ka kërkuar mbylljen e dosjes. Sipas argumentimit të Dritan Prençit, gjatë hetimeve të kryera për Bekteshin, nuk ka rezultuar ndonjë element i veprës penale të fshehjes së pasurisë.

Edhe pse Premçi pranoi mes argumenteve të tij e Bekteshi ka mashtruar me deklarimin e pasurisë dhe ka falsifikuar dokumentet, sërish këmbënguli se nuk ka parë elementë të veprës penale. Por, gjykata e hodhi poshtë arsyetimin e tij.

Burimi: Pamfleti.net