Francezët nuk janë dakord me finalen e Kupës së Botës në Katar 2022.

Kombëtarja e tyre u mposht në finale nga Argjentina teksa vendimtare rezultuan goditjet e 11-metërshave, me lojtarët albiceleste që u treguan shumë të saktë.

Megjithatë, para se sfida të shkonte tek 11-metërshat, Franca pretendoi në disa raste për gjykimin, pasi protestuan gjatë për penalltinë e akorduar në favor të Di Marias.

Ousmane Dembele ishte ai që pati kontaktin me sulmuesin anësor, por nga pamjet u duk se bëhej fjalë për një kontakt shumë të lehtë. Gjithsesi, arbitri Marciniak akordoi menjëherë penallti dhe nuk pati nevojën as për t’u këshilluar me sistemin VAR.

Ndërkohë, një tjetër rast që pretendojnë francezët është edhe një kontakt në zonë i Thuram me Romeron. Gjyqtari polak akordoi faull në dëm të Francës duke ndëshkuar me karton të verdhë Thuram për simulim në zonë.

Në Francë kanë nisur një peticion për të riluajtur finalen, teksa deri më tani janë mbledhur plot 200.000 firma. Megjithatë, diçka e tillë duket e pamundur për t’u realizuar pavarësisht dëshirës së francezëve.