Hetuesit kanë arritur të zbardhin skemën e ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Tepelenë, ku mbeti i vrarë një 47-vjeçar dhe u plagos vëllai i tij. Viktimë mbeti Artur Bresha, i cili u qëllua në vendin e punës, ndërsa Artan Bresha, 43 vjeç, u plagos me dy plumba.

Shkak dyshohet prishja e pazareve të drogës dhe borxhet. Policia ka gjetur të braktisur automjetin, me të cilin u largua nga vendi i ngjarjes vrasësi. Mjeti tip “MercedesBenz” u sekuestrua pranë digës së Bënçës, rreth 4 km larg qytetit të Tepelenës.

 

NGJARJA

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë të ndodhura në kantierin e ndërtimit të bypass-it të Tepelenës, ku Artur Bresha punonte si roje, autori i vetëm, i pamaskuar dhe i armatosur, ka qëlluar pa paralajmërim 47-vjeçarin që ndodhej brenda dhomëzës ku bënte rojë gjatë natës. Më pas, autori ka marrë makinën e viktimës dhe është drejtuar për në dyqanin në pronësi të familjes Bresha, ku ndodhej vëllai tjetër, Artani.

Ky i fundit ka dalë në derën e dyqanit pasi ka njohur makinën dhe i habitur që i vëllai po kthehej aq herët në shtëpi. Ka qenë ora 20:15 e mbrëmjes kur autori del nga makina i armatosur, por këtë herë i maskuar dhe pa asnjë paralajmërim qëllon drejt 43-vjeçarit, i cili mori dy plumba në njërën këmbë. Rrethanat e ngjarjes ngrenë dyshimin se vrasësi nuk ka pasur për qëllim eliminimin e plotë fizik të Artan Breshës, por vetëm plagosjen e tij.

Më pas, autori, ende i paidentifikuar, është larguar sërish me automjetin e vëllezërve Bresha, duke e braktisur atë në rrugën e Bënçës. Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. Në ndihmë të grupit të posaçëm hetimor u bashkua edhe një grup specialistësh të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

MOTIVI

Ende nuk ka asnjë pistë konkrete të dalë nga hetimet e kryera për ngjarjen e rëndë. Deklarimi i vëllait të plagosur e ka lënë hetimin ende në udhëkryq, edhe pse implikimet e mëparshme të tij me transportin e kanabisit shihen si një pistë e mundshme.

Hipoteza e dytë ka si objektiv kryesor viktimën dhe dyshimet ngrihen mbi një sasi të madhe të hollash të marra borxh dhe ende të pashlyera apo të mohuara. Autori duket se ka qenë një njohës i mirë i zonës dhe veprimtarisë së dy vëllezërve, pasi ka mundur të fshehë mirë gjurmët dhe të vështirësojë punën e grupeve hetimore dhe të Prokurorisë, duke e lënë këtë ngjarje ende të pazbardhur.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu