Sot është dita kur përkujtohet në Shqipëri dhe në botë, misionarja, bamirësja dhe shenjtorja Nënë Tereza (26 gusht 1910 – 5 shtator 1997).

“Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

Anjeza Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza u lind në Shkup, më 1910 nga prindër shqiptarë, njoftoi Muzeu Kombëtar.

Që në moshën 12 vjeçare kishte dëshirë të bëhej misionare “për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit”. Në moshën 18 vjeçare hyri në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, në Dublin, që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës.

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë nuk i kishte dhënë vizë nobelistes së ardhshme as sa për të parë nënën e saj që jetonte në Tiranë, as për te marrë pjesë në varrimin e saj më 1974, as për të parë varrin. Madje këtë vizë nuk ia dhanë as kur fama e saj kishte marrë dhenë në të katër anët e botës deri në fillim të viteve ’90.

Në vitin 1979, do t’i akordohej Çmimi Nobel i Paqes për punën e palodhshme të saj në favor të të varfërve dhe personave që vuanin, duke i dhënë një autoritet botëror.
Sipas te dhënave te vitit 1980, ajo ishte kujdestare e 7500 fëmijëve në 60 shkolla, mjekonte 960 000 të sëmure në 213 spitale, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47 000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3 400 pleq te braktisur e të lënë rrugëve në 20 shtëpi pleqsh dhe kishte birësuar 160 fëmijë jetimë.

Nënë Tereza ndërroi jetë në 5 shtator 1997, në moshën 87 vjeçare, pas një gjysmë shekulli shërbim ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë botën. Në vitin 1997, pak para se të ndahej nga jeta, Nënë Tereza kishte 4000 motra, të pranishme në 610 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës. Ajo prehet në selinë e Urdhrit të Misionarëve të

Bamirësisë në Kalkuta, të cilin e formoi në vitin 1950.

Në 5 shtator të vitit 2016, në përvjetorin e saj të vdekjes u shpall Shenjtore nga Papa Francesku.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu