Qysh se u vendos tek ABC news, Enkel Demi ka një prej emisioneve më të ndjekura të mengjesit. Eshtë përvoja tashmë e gjatë e komunikimit me kameran, stili unik, i thjeshtë, i drejtpërdrejtë dhe me fjalët e duhura, që e bëjnë gazetarin të vijë natyrshëm, origjinal dhe në mënyrë familjare tek problemet dhe shqetësimet që kanë njerëzit.

Enkeli vjen fare i pakompleksuar, të jetë i njëjti, me të zakonshmen mënyrë të tijën, edhe kur ka përballë kryeministrin Edi Rama, një i ftuar i vështirë për çdo moderator e studio.

Kjo ndodhi edhe sot paradite.

Edi Rama duket se para këtij stili të vërtetë, të pasforcuar, nuk e futi dot në punë me efiçensën e zakonshme, një prej armëve të komunikimit, arrogancën.

Demi po ashtu, kishte bërë kërkimet e duhura për ta ballafazuar kryeministrin me fakte dhe argumenta të vështira.

Në disa raste, Rama ose ngeci, ose pranoi se nuk ishte i informuar.

Kur u shpreh se media shqiptare ka lirinë më të madhe në planet për të shpifur, Keli reagoi, duke i thënë nëse e kishte fjalën për materiale fake, si ajo që kryeministri publikoi mbi një incident në Spanjë, ku policia ushtronte dhunë ndaj njerëzve për të mos i lejuar të grumbullohen në këtë kohë pandemia.

Doli shpejt se video ishte nga një vend afrikan, dhe se në të vërtetë, policia në Spanjë këndonte poshtë banesave të banorëve.

Por, këtë, Rama preferoi ta quante thjesht lapsus. Lapsus për të cilin kishte kërkuar ndjesë.

Keli e gjeti të papërgatitur Ramën, për pyetjen nëse mjekët dhe infermierët e kthyer nga Italia, ishin karantinuar si gjithë qytetarët e tjerë që vijnë nga jashtë.

Pa përgjigje e argumenta bindës edhe për masat që mund të marrë qeveria, apo planet e saj, nëse coronavirusi shfaqet sërish në vjeshtë.

Rama po ashtu mohoi dhe pranoi se e kishte përmendur shifrën e lartë prej 18 mijë jetësh të rrezikuara, nëse nuk do të ishin marrë masat, që mori qeveria sipas tij.

Edhe pse nuk kishte shumë lajme në ato që Rama deklaroi sot në mëngjes, e reja është se ka një mënyrë eficente për të realizuar një intervistë me një lider arrogant, dhe këtë na e tregoi sot Enkel Demi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu