Gjykata e Apelit të Posaçëm Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka miratuar shkallën e parë duke lënë nën sekuestro kantinën e pijeve alkoolike ‘Gjergj Kastrioti’, në pronësi të ish-ministrit Lefter Koka, sekuestruar pas arrestimit të tij.

Togat e zeza të Apelit të Posaçëm kanë rrëzuar kërkesën e Kokës duke lënë në fuqi kërkesën e SPAK për sekuestron e kantinës. Kujtojmë se më 14 dhjetor, SPAK urdhëroi prangosjen e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka për dosjen e shumëpërfolur, atë të inceneratorit në Elbasan.

Prokuroria e Posaçme akuzon ish-ministrin e Mjedisit për tre akuza. Ndaj tij rëndojnë akuzat e “shpërdorimit të detyrës”, “pastrim të parave” dhe “korrupsion”. Hetimet disamujore zbuluan se Lefter Koka favorizoi pronarët dhe administratorët e kompanisë lidhur me koncesionin e inceneratorit të Elbasanit.

Sipas SPAK, Koka akuzohet se ka përfituar rryshfet në vlerën e 3.7 milion eurove nëpërmjet kompanive fiktive të zotëruara nga familjarë dhe të njohur të tij.