Analistë të ndryshëm kanë komentuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për opozitën pas tërmetit të 26 nëntorit. Pedagogu dhe analisti Mark Marku tha se kjo ftesë është propagandë.
“E ka propagandistike! A kemi ne një plan konkret, se si do të përballohet me kosto dhe me grup pune kjo situatë? U bënë shtatë ditë që rri vërdallë, ka përqafuar të gjithë qentë e Tiranës dhe Durrësit. Unë mendoj se të gjithë duhet të bashkohemi për të përballuar këtë gjendje. Tërmeti nuk paralizon demokracinë. Opozitën e do aty që të bëjë foto. Sjellja e Bashës është korrekte”, tha Marku.
Edhe pedagogu dhe analisti Fitim Zekthi, deklaroi se kjo ftesë nuk është reale.
Sipas analistit, sado të përpiqet Rama të bëjë propagandë, zemërata e qytetarëve do të vijë në rritje.
“Sado të bëjë propagandë, revolta e njerëzve do të rritet. Ai e di këtë pakënaqësi të madhe dhe do të përfshijë edhe opozitën në këtë. Pse e fton opozitën? Ai është i tmerruar pasi opozita po mundëson daljen në publik të situatës së rëndë në vend”, u shpreh Fitim Zekthi.