Tre vjet nga amnistia e fundit që u dha lirinë mbi 700 të dënuarve, duket se ky fundvit do të ketë pak shpresë për ata që qëndrojnë pas hekurave të burgut. Ministria e Drejtësisë ka bërë gati projektligjin që pritet të lirojë nga burgjet pothuajse aq të dënuar sa në vitin 2016.

Sipas burimeve, drafti i përgatitur është thuajse i ngjashëm me atë të para tri viteve, të cilin e ka dërguar për mendim në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Ministrinë e Brendshme. Më pas, pritet që projektligji të kalojë në Parlament për votim, në mënyrë që në prag të festave të lirohen të gjithë ata që do të përmbushin kriteret e përcaktuara. Edhe vitin e kaluar ishte përgatitur një projektligj për amnistinë, i cili dështoi.

E po ashtu, në vitin 2017, amnistia nuk u realizua, pasi me një arsyetim të atëhershëm të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ishte vonë për përgatitjen e projektligjit. Konkretisht, 731 të dënuar u liruan nga qelitë në fund të vitit 2016, pasi përfituan nga amnistia, ndërsa mes atyre që fituan lirinë ishin vetëm 9 femra, 4 të mitur dhe pjesa tjetër ishin meshkuj.

TE DENUARIT QE PERFITOJNE

Nga amnistia e këtij viti përfitojnë të dënuarit meshkuj me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë edhe gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna me vendim gjyqësor të formës së prerë, deri më datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.

E njëjta gjë vlen edhe për femrat e të miturit e dënuar, por për ata është menduar limiti i dënimit që amnistohet deri në 3 vjet. Gjithashtu, përfitojnë meshkujt, të cilëve deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet, ndërsa për femrat e të miturit deri në 3 vjet. Për të dënuarat femra ka dhe një kriter tjetër favorizues, pasi amnistohen ato që me datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.

ATA QE NUK PERFITOJNE

Nuk do të përfitojnë nga amnisti të dënuarit me burgim të përjetshëm, ata për dhunë në familje, për korrupsion, krime zgjedhore, krime të tjera të rënda etj. Gjithashtu, nuk përfitojnë të dënuarit apo ata që janë në proces për krime kundër njerëzimit, të parashikuara në nenet 73, 74, 74/a e 75 të Kodit Penal.

Personat e dënuar apo në proces për krime kundër jetës, të kryera me dashje, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/ a, 79/b, 79/c, 81, 82, 83/a, 83/b e 84/a, të Kodit Penal, si dhe në nenin 77, të Kodit Penal Ushtarak. Ata që akuzohen për vepra penale të kryera me dashje kundër shëndetit, të parashikuara në nenet 86, 87, 88, 89/a e 99, të Kodit Penal, si dhe krime seksuale, vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, të parashikuara në nenin 114 dhe në paragrafin e dytë dhe të tretë, të nenit 117, të Kodit Penal.

Ashtu si në ligjin për amnistinë e vitit 2016, parashikohet të mos përfitojnë nga amnistia personat e akuzuar për vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, të parashikuara në paragrafin e dytë të nenit 124, paragrafin e dytë e të tretë, të nenit 124/b, në nenet 128/a, 128/b, 129 e 130/a, të Kodit Penal; vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike; vepra penale kundër falsifikimit të monedhave dhe letrave me vlerë; vepra penale kundër falsifikimit të dokumenteve; vepra penale kundër mjedisit; krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues; krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera; vepra me qëllime terroriste; krime kundër autoritetit të shtetit; vepra penale kundër drejtësisë; vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve; vepra penale të kryera nga banda e armatosur dhe organizata kriminale, të parashikuara në nenet 333, 333/a dhe 334, të Kodit Penal.

Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat, të cilët i janë shmangur drejtësisë, qofshin këta shtetas që i janë shmangur autoritetit të ndjekjes penale apo të dënuar që i janë shmangur ekzekutimit të vendimit të dhënë, deri në datën 30.09.2019. Nuk përfitojnë nga kjo amnisti përsëritësit e së njëjtës vepër penale.

1

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu