Kërcënimet nga krimi dhe vjedhjet që vijnë si pasojë e mungesës së sigurisë janë bërë një pengesë serioze për bizneset e huaja që investojnë në Shqipëri.

Përfundimi tronditës vjen nga Banka Botërore në vëzhgimin global të sipërmarrjeve.

Sipas Bankës, në gjashtë vitet e fundit pesha e investitorëve të huaj që identifikojnë krimin dhe vjedhjet si pengesë serioze për të bërë biznes në Shqipëri është rritur me 8 herë.

Nëse në vitin 2013, ishin vetëm 4.5 për qind e ndërmarrjeve të huaja që e konsideronin krimin dhe vjedhjen si pengesë serioze për të bërë biznes në Shqipëri, këtë vit shifra ka kërcyer në 35.8 për qind.

Pra më shumë se një e treta e bizneseve të huaja në Shqipëri, tani ndihen të pasigurta për të bërë biznes në Shqipëri pasi kërcënohen nga krimi i organizuar.

Format kryesore se si krimi godet biznesin janë disa. Kërcënime, shantazh, gjoba e deri tek vjedhjet dhe vandalizmi.

Të dhënat e detajuara të Bankës Botërore tregojnë se bizneset e huaja janë dhe shënjestra e preferuar e bandave, pasi pesha e bizneseve të huaja që raportojnë krimin si problem serioz është disa herë më e lartë se ajo e bizneseve vendase.

Në shtator të vitit 2016, opinioni publik në Shqipëri u trondit teksa Fadi Mitri, një biznesmen libanezo amerikan, u dhunua barbarisht nga krimi.

I ardhur në Shqipëri për të investuar 480 milionë euro në ndërtimin e një resorti turistik në Gjirin e Lalzit, Mitri u largua përfundimisht nga Shqipëria duke e braktisur projektin. Ndërkohë që dhunuesit nuk u vunë asnjëherë përpara drejtësisë.

Rrahja e biznesmenit Mitri ishte shembulli më i qartë që tregoi para opinionit publik se si krimi dhunon bizneset e huaja për t’i grabitur. Por jo i vetmi, pasi ka me qindra raste të tjera kur bizneset e kërcënuara detyrohet të paguajnë haraç tek krimi ose të largohen duke braktisur projektet e tyre në Shqipëri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu