Prokuroria e Përgjithshme, ka nisur sot zyrtarisht hetimet për kreun e Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailajt, pas akuzave të Partisë Demorkatike për fshehjen e një dënimi të marrë në Greqi në vitin 2000. Sipas informacioneve, bëhet me dije se sektori i Dekriminalizimit në Prokurori, i ka drejtuar një kërkesë Ismailajt që të dorëzojë shenjat e gishtave, të cilat do të merren gjithashtu edhe tek kompania e paraportave ADISA.

Menjëherë pas marrjes së gjurmëve të gishtave, Prokuroria do të nisë drejt autoriteteve greke letër-porosinë për t’i krahasuar me gjurmët e Qerim Ismailajt, i cili është dënuar me tre vite në vendin fqinj për të kuptuar nëse bëhet fjalë për të njëjtin person.

Përveç gjurmës së gishatave, kryeprokurori Olsian Çela i ka dërguar një kërkesë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilit i kërkon formularin e vetëdeklarimit të qytetarit të parë të Mallakastrës, ku dyshohet se janë fshehur 3 vite burg në Greqi për plagosje.

“Na vini në dispozicion formularin e vetëdeklarimit të Qerim Ismailaj. Kërkojmë përcjelljen sa më parë të këtij formulari”, thuhet ndër të tjera në kërkesën që Prokuroria i drejton KQZ.

Nga ana e PD-së, ka reaguar ish-deputeti dhe juristi Enkelejd Alibeaj, i cili është shprehur se para një muaji e gjysmë, socialisti ka shkuar vetë në Greqi për të tërhequr dosjen e penale. Por megjithatë nuk ka publikuar asnjë dokument për ta vërtetuar.

Ndërkohë vetë kreut i Bashkisë Mallakastër është shprehur se është i gatshëm për çdo hetim dhe ka shtuar se nuk ka lidhje fare me dokumentin e publikuar nga PD, pasi ai në atë kohë ka qenë mësues. Nga ana tjetër Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi këmbëngul se Ismailaj është i dënuar dhe është subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Akuzat e Partisë Demokratike për kreun e Bashkisë Mallakastër, u bënë javën e shkuar, ku i është kërkuar dhe prokurorisë së nis hetimet. Më tej PD ka publikuar dhe një vendim dënimi, ku Qerim Ismailaj rezulton i dënuar në mungesë, për dhunë.

Qerim Ismailaj është kryebashkiaku i katërt që është denoncuar nga Partia Demokratike. Që në muajin gusht, PD ka nisur luftën e dekriminalizimit, duke denoncuar Valdrin Pjetrin e Shkodrës, i cili u tërhoq nga marrja e mandatit dhe tashmë çështja e tij është në gjykatë, pasi akuzohet për falsifikim të formularëve. Agim Kajmaku i Bashkisë Vorë, u denoncua nga PD dhe Komisioni Qendror i Zgjedhje i hoqi mandatin. Ndërkohë PD ka hedhur dhe akuzua për Mark Babanin, por ky i fundit ka mohuar të gjitha dhe vijon të jetë në detyrë. Nga selia blu është thënë se emrat e kryebashkiakëve që janë subjekt të ligjit të dekriminalizimit do jenë të shumtë dhe nuk do mbarojnë vetëm me 4.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu