Duke hyrë data 8 dhjetor, rreth orës 01.30 minuta, në një rrugë të errët në Laprakë, një kundërvajtje e thjeshtë nga një i ri 25-vjeçar, u kthye në një krim të paralajmëruar shtetëror.

Fëmija më i vogël i familjes Rasha, Klodiani, kishte dalë që të pinte një gotë a një kafe në një nga lokalet e zonës që rrinë edhe ato hapur pas orës 22.00 në kundërvajtje, por lejohen nga policia pas pagesave sistematike nën dorë.

Gjatë kthimit për në shtëpi, vetëm pak metra afër saj, disa policë të patrullës “Shqiponja” i kërkojnë që të ndalojë. Se çfarë ndodhi më pas është nën hetim dhe ende mister, por deri më tani kemi kufomën e një të riu të pafajshëm që nuk e meritonte atë fund.

I vrarë me plumb prapa shpine, i masakruar në pjesë të ndryshme të kokës dhe sipas dëshmitarëve me vetëm 2 hurma në dorë.

Themi që kjo vrasje ishte e paralajmëruar, pasi arroganca, dhuna, shkelja e ligjeve, procedurave dhe rregullore nga ana e policisë së “rilindur” të Edi Ramës, po rriteshin në mënyrë proporcionale vit pas viti, muaj pas muaji dhe ditë pas dite.

Frymëzimi i arrogancës që buron nga kreu, i cili beson se nuk drejton një shtet ligjor, por një feud, një ditë do të zbriste edhe te polici më i thjeshtë. Dhe kështu ndodhi!

Historia e ekzekutimit të Klodian Rashës është sa e thjeshtë, aq edhe tronditëse.

Një polic, apo më shumë, të veshur me uniformën e shtetit, vepruan si gangsterë të pamëshirshëm.

Pas krimit, ekzekutorët, shefat e tyre dhe mediat nën shërbim të Edi Ramës fillimisht tentuan që ta manipulojnë vrasjen.

U servirën lajme se ai ishte i armatosur; u la një pistoletë në rrugicë dhe më e turpshmja i bënë edhe biografinë duke e nxjerrë se ka qenë edhe fëmijë problematik.

U zhdukën filmimet e kamerave përreth dhe bashkë me ato, edhe kamera e detyrueshme që policët e “Shqiponjave” mbajnë ndezur në trup dhe që qëndron e lidhur direkt me sallën operative në Drejtorinë e Policisë në Tiranë.

Por orë pas orë u zbardhën detaje tronditëse dhe kolegët u detyruan që ta arrestojnë vrasësin në radhët e tyre.

Tashmë është e vërtetuar se Klodiani është qëlluar pas shpine, vetëm pak metra larg derës së shtëpisë.

Nga të dhënat e fundit që kanë dalë nga autopsia dalin detaje edhe më skandaloze. Dyshohet se përpara ekzekutimit Klodiani është rrahur dhe masakruar me shumë gjasa, nga më shumë se një polic.

Burime brenda radhëve të policisë kanë thënë për `Syri.net` se Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) prej kohësh po heton problematika të rënda brenda forcave policore “Shqiponja”.

Përveç rekrutimit të personave të dyshimtë dhe me lidhje kriminale janë të shumta rastet (zakonisht në turnet e natës), kur pjesëtarë të tyre veprojnë nën efektin e alkoolit dhe të drogës. Vendosin gjoba dhe kërkojnë haraç nga biznese e qytetarë të shumtë.

Gjithashtu shumë prej tyre janë të patrajnuar për përdorimin e armëve dhe mënyrën e policimit në komunitet.

Nuk mbajnë kamerat e detyrueshme në trup dhe në shumë raste sidomos natën, funksionojnë më shumë si banda gangsterësh.

Dhe kjo është parë qartë jo vetëm te ata, por edhe te forcat e tjera speciale gjatë protestave të opozitës, apo komuniteteve për çështje të ndryshme si mbrojtja e Teatrit apo Astiri.

Është parë, se edhe përpara kamerave të shumta të televizioneve, edhe kur e dinë se janë live në çdo ekran; ekstremiteti, dhuna, arroganca dhe shkelja e ligjeve dhe rregulloreve nuk ju bën përshtypje.

U pa edhe si reagoi shteti, kryeministri, ministri i Brendshëm dhe drejtori i përgjithshëm pas vrasjes së Klodianit. Në fillim, tentuan manipulimin e provave dhe shndërrimin e viktimës së tyre në fajtor.

Pastaj shpresuan te sfumimi i ngjarjes dhe harresa kolektive për atë krim.

Dhe vetëm kur Edi Rama pa se si iu dogj Pema e Vitit të ri poshtë zyrës, ku kuptoj se shkëndijat në sytë e atyre të rinjve që kanë dy ditë që ndezin flakë kryeqytetin, dogji Sandër Lleshajn për të mos u djegur vetë!

Ndaj përsërisim, se ekzekutimi i Klodianit nuk është rastësor!

Se nuk mjafton “dorëheqja” e detyruara e Lleshajt, pasi dihet se cilët ishin ministra  para tij dhe dihet se çfarë është i aftë të  sjellë Edi Rama në vend të tij.

Nuk bëhet më fjalë më për një “dru të shtrembër” që mund të jetë polic i Shqiponjave, apo ministër i Brendshëm; bëhet fjalë për tjetërsimin e shtetit ligjor në një feud, krimo-kleptokrat, ku jo vetë liritë e pasuritë, por edhe vetë jeta është në limitet ekzistenciale!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu