Nga Doan Gjyzeli 

Edi Rama nuk fshihet më kur llogarit votat që ka projektuar të rrëmbejë apo blejë me çdo kusht në zgjedhjet e ardhshme: atij i duhen 800 mijë vota për një mandat të ri dhe këtë dëshirë të tij, strukturat, brenda dhe jashtë partisë, duhet ta llogarisin. Për këtë numër votuesish, Rama nuk tha se i meriton për shkak se ka shtuar punësimin dhe ekonominë në vend. Ai nuk tha as se këto vota duhet të vijnë për socialistët pasi qeverisja e tij ka rritur investimet e huaja. Ai nuk mund të krenohet as për mënyrën se si festoi në mënyrë qesharake mos-hapjen e negociatave me BE-në. Ai nuk ka asnjë fjalë për pafuqinë e tij për të nxjerrë jashtë strukturave Vangjush Dakon edhe kur e shpall “non grata” SHBA. Ai nuk del të flasë kur është fjala për të lajmëruar vendimin për të dëmtuarit nga tërmeti se do paguajnë gjysmë për gjysmë me qeverinë për rikonstruksionin e shtëpive të dëmtuara. Jo, ai nuk rreshtoi asgjë nga këto, sepse nuk ka asgjë me të cilën mund të krenohet, përveç aftësisë për të lënë shqiptarët pa gjykata dhe të fortët pa u ndëshkuar. Ndaj, për të kërkuar vota, Ramës i mjafton t’u tregojë shqiptarëve se Linda e tij është më e rëndësishme se çdo strukturë në Partinë Socialiste dhe se tani e në të ardhmen ai do respektojë trashëgiminë e Ziqiri Meros, i cili e nis karrierën si kolonel duke kërkuar pushkatimin e bashkëfshatarëve të tij që kishin qenë me “Ballin”.

Edi Rama nuk nguron fare të propozojë amnisti fiskale që do t’i shërbejë vetëm miqve të tij në fund të mandatit, sepse ai ua ka borxh atyre. Dhe për këtë hap, vendos të tallet botërisht me emigrantët, që gjoja atyre u duhet ky ligj, që të ligjërojnë paratë. Por gjithkush që e njeh jetën e një emigranti, e di shumë mirë se nuk ka se ç’të fshehë, përveçse nëse është marrë me trafiqe. Dhe në këtë rast, ai kërkon t’i fshehë në Shqipëri. Ndaj, më mirë se përmendja e emigrantëve, të cilët punojnë dhe sakrifikojnë për familjet e tyre atje, dhe për familjarët e papunë dhe të varfër këtu, ai është mirë të thotë: “u bëj thirrje trafikantëve!”. Në këtë rast edhe i saktëson se kush duhet të bëjë gati paratë që duhet t’ia numërojë administrata e Ramës për hesap të tyre dhe punëve të tij.

Kushdo që beson se Rama do të ketë ndonjë narrativë politike, ndonjë projekt ekonomik për zgjedhjet e ardhshme, e ka menduar gabim. Ai gënjeu vetëm në vitin 2013 për 300 mijë vende pune, për shëndetësi falas e për shumë gjëra të tjera lidhur me shtetin e së drejtës, sepse kishte frikë ende nga fuqia e Sali Berishës. Më pas, teksa vendosi të lidhet drejtpërdrejtë me “të fortët”, Edi Ramës nuk i duhej më as Meta, dhe kërkoi më 2017 “tepsinë dhe timonin”. E kur i mori dhe këto, vendosi të nxjerrë jashtë loje çdo lloj gjykate e prokurorie, që as të mos hetohet, e as të mos gjykohet për vendimet e tij.

Teksa ka arritur këto, ai nuk e ka pasur problem të tallet tashmë në mënyrë të hapur, duke besuar se, shakatë e tij e ngopin shoqërinë shqiptare. Shakatë e tij me votuesit nuk janë më të fshehura dhe shumë shpejt mund të propozojë që një nga vaktet e ardhshme të shqiptarëve të mos jetë më me ushqim, por me librin e tij me fjalime në Kuvend. I vetmi fjalim që e shqetëson mund të jetë ai i formulimit se si, 800 mijë votat duhet të shihen si “plumb për armikun”. Ndoshta, pas përqafimit të Ziqiri Meros, do të ta thoshte hapur se votat për opozitën e sotme “janë plumb për armikun”, ashtu siç i pëlqente Ziqirisë kur firmoste për pushkatimin e bashkëqytetarëve të tij vetëm sepse mendonin ndryshe nga ai. Por, ndonjëherë ai sheh në ëndërr se është më orator se sa komunistët e orëve të para. Dhe nuk di se cilën plagjiaturë duhet ta bëjë për fjalimin e ri, që edhe të rizgjojë gjithë nostalgjikët e komunizmit edhe të ngjajë si liberal!!!.

Kushdo që beson se Rama bën shaka kur përqafon aq përmallshëm Ziqirinë dhe që shpall si numrin dy të partisë Lindën, është ende në kohë ta mendojë edhe një herë se përse është sot në këtë gjendje. Ofertuesit për blerjen e 800 mijë votave do kalojnë në një konkurs përballë Ramës pasi, të gënjesh tri herë rresht një popull, sado naiv që të jetë, nuk është aq e lehtë.

Edi Rama ndoshta me këtë ofertë për të blerë sa më shpejt shqiptarët po tregohet disi i duruar, pasi ai beson se shumë shpejt edhe mund ta ndërrojë këtë popull me një popull tjetër. Si fillim, gjithçka mund të nisë me një ligj për emigrantët. Pastaj, Rama ka kohë, të paktën për aq sa do të jetë në fuqi indiferenca e shoqërisë ndaj një kryeministri, që në vend të premtimeve elektorale ai mund të aplikojë talljet e hapura.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu