Gjykata e Posaçme dënon me 10 muaj burg ish-zv.ministren e Brendshme, Rovena Voda.

Ish-zyrtarja e lartë u fajësua për ‘ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’.

Voda nuk shkon në qeli, pasi është gjykuar në masën e ‘arrestit në shtëpi’ dhe vendimi nuk është i formës së prerë.

SPAK kishte kërkuar 1 vit burg për ish-zv.ministren dhe përjashtimin e saj nga ushtrimi i funksioneve publike për një periudhë 3-vjeçare.

E njëjta masë dënimi u dha nga Gjykata edhe për të bashkëpandehurat e saj, Majlinda Hasani e Florida Beu.

Voda u shpall fajtore për shkak se kishte pranuar vlera monetare për të ndikuar në punësimin e Beut në ministri.

Referuar hetimit të Prokurorisë së Posaçme, mes Vodës, Beut dhe Majlinda Hasanit janë realizuar tre takime në shkurt-mars 2020 në Ministrinë e Brendshme dhe në Durrës.